2008-12-16 14:15:33

Rubrika 365 ditë: "Zhan Rodâ: lindja e Karitasit."


(16.12.2008 RV)Tani e tutje Marseli e miqtë e tij do të quhen ‘të pastrehët’ e Karitasit. Në këtë kohë, e jemi në vitin 1952, ky emër nuk ekziston ende. Këta njerëz quhen thjeshtë vagabondë.
“Ej, miq, po ju ju jap një lajm të mirë: sonte do të flemë nën strehë”.
“Kaq shumë ke pirë Marsel, sa të na premtosh edhe shtëpi?”. Po pse na premton shtëpi e jo kështjellë, mbasi jemi që jemi? E, sidomos, pse nuk na lë të flemë rehat tani e këtu ku jemi?”.
“Po jo, Pol, është e vërtetë, të betohem!” Sonte takova një mik, që më foli për një shtëpi, hapur pak kohë më parë në lagjen e Invalidëve. Pa mendo një herë: një shtëpi për njerëz si ne”.
“Sigurisht, po hapkan një shtëpi për ne në lagjen më luksoze të Parisit! E kush na e paska hapur këtë shtëpi? Shahu i Persisë?”.
“Një prift që quhet Zhan Rodâ, i cili ka themeluar edhe një lëvizje. Quhet Karitas e ekziston që më 1946. Vendosi ta krijonte, sepse në fund të luftës mijëra njerëz mbetën si ne, në mes të rrugës. Humbën gjithçka: shtëpi, familje, punë....Sivjet nisi veprimtarinë për të hapur shtëpi që strehojnë rrugaçë, që s’kanë çati mbi kokë. Endacakë, si ne.
Shokët e Marselit ia krisin gazit.
“Një prift?! E ty të gënjen mendja se do të na e hapë portën? Ne nuk jemi as të pagëzuar...Karitasi yt është për katolikët!”.
“Jo, nuk është aspak kështu! Shkova vetë për ta parë me sytë e mi. Nuk doja të gënjehesha më kot. A e dini kush ma hapi portën? Ma hapi vetë prifti. Më ngjalli menjëherë besim e shpresë. Kishte një fytyrë simpatike, nga ato që të hyjnë menjëherë në zemër. I thashë: para se të ma hapësh portën, duhet ta dish se nuk besoj. Mund të hyj tani?”. Ai buzëqeshi e unë e kuptova se nuk po tallej me mua. Më tha: “Natyrisht që mund të hysh. Ne besojmë me gjithë zemër në Zotin, por i ndihmojmë të gjithë, edhe ata që nuk besojnë, edhe të huajtë, sepse Zoti i do të gjithë, edhe ata që nuk besojnë në Të. Atëherë vrapova t’ju thërres edhe ju. Hë, miq, në këmbë, të nisemi!”.
Sot, pas pesëdhjetë vjetësh, Karitasi francez është një shoqatë shumë e madhe, që numëron më se shtatëdhjetë e pesë mijë vullnetarë, njerëz që punojnë falas, e merr shumë dhurata në para: çdo vit ka më se një milion bamirës. Falë këtyre të hollave, mund të ndihmojë mbi një milion e gjysëm njerëz në vit. Në Francë ka dymijë e pesëqind shtëpi pritjeje, si streha që zbuloi Marseli. Por veprimtaria e Karitasit shtrihet përtej kufijve francezë. Është një rrjet shumë i gjërë ndërkombëtar, që ndihmon të varfërit në të katër anët e Planetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.