2008-12-15 18:18:05

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot uron që Jezusi të pritet me dashuri në të gjitha shtëpitë e botës.


15.12.2008 RV)RealAudioMP3 Krishtlindja do të kremtohet përsëri, për të na kujtuar se Zoti vjen pranë nesh, kur e duam. Këtë pohoi Benedikti XVI dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke uruar që Krishti të pritet me dashuri në të gjitha shtëpitë e Romës e të botës. Pasi bekoi shtatoret e Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të oratoreve e të famullive romake, që i mbanin në duar fëmijët e shkollave, bëri thirrje të ndihmohen famullitë e Romës për të ndërtuar kishën e tyre.

“Gëzohuni, sepse Zoti është afër!”. Është shprehja e Shën Palit – kujtoi Papa- që shoqëron Këngën e hyrjes së Meshës Shenjte në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes. Apostulli i Popujve – vërejti në vijim Ati i Shenjtë – natyrisht mendon për rikthimin e Zotit, por vëren edhe se askush nuk është në gjendje ta dijë çastin e ardhjes së Perëndisë. Prandaj Benedikti XVI shpjegoi pikërisht kuptimin e kësaj shprehjeje, që na afron kaq shumë pranë Zotit, këto ditë, kur e presim:

Kështu, që asokohe, Kisha, e ndriçuar nga Shpirti Shenjt, e kuptonte gjithnjë më mirë se ‘afërsia’ e Hyjit nuk është çështje hapësire, as kohe, por çështje dashurie: dashuria afron! Krishtlindja e afërme vjen të na kujtojë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë e, para Shpellës së Betlehemit, mund të shijojmë gëzimin e krishterë, duke kundruar, në Foshnjën Hyjnore, fytyrën e vetë Hyjit, që vjen pranë nesh për dashuri”.

 
Më pas, në atmosferën e gëzimit të vërtetë, që shndërrohet në solidaritet, pikërisht për dashuri të Zotit në prag të Krishtlindjes, Benedikti XVI e përfundoi lutjen mariane me bekimin tradicional të shtatoreve të Foshnjës Hyjnore për Shpellat e Betlehemit të fëmijëve romakë. Të pranishëm dymijë fëmijë, me prindërit e shoqëruesit, shtrënguar rreth Bredhit vigan të Krishtlindjes e Shpellës, në ndërtim e sipër.
Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë, e posaçërisht fëmijët e të rinjtë e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, me shtatoret e Foshnjës Hyjnore në duar, të bashkojnë zërin me të në këtë lutje:
 
“O Zot, Ati ynë…
të lutemi që, me bekimin tënd,
këto shtatore të Jezusit, që po vjen mes nesh
të jenë, në shtëpitë tona
shenjë e pranisë sate e e dashurisë sate”.

 
Gjatë lutjes, Papa i ftoi të gjithë t’ia hapin zemrat Zotit e ta presin me dashuri:

“Hapi zemrat tona,
që ta presim Jezusin me gëzim,
të bëjmë gjithnjë atë që na kërkon
e ta shikojmë në të gjithë njerëzit
që kanë nevojë për dashurinë tonë!

 
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se dje dioqeza e Romës kremtonte ditën për ndërtimin e kishave të reja. Gjatë viteve të fundit – tha Ati i Shenjtë – janë ndërtuar disa komplekse famullitare, por ka ende bashkësi, të cilave u mungojnë strukturat e përhershme e të përshtatshme për veprimtaritë e tyre fetare. Duke falënderuar nga zemra ata që japin ndihmesën e tyre për realizimin e këtij impenjimi kaq të rëndësishëm të dioqezës së Romës, Benedikti XVI i ftoi të gjithë besimtarët e famullive romake, ftesë që mund të shtrihet shumë përtej Qytetit të Amshuar, sidomos atje ku vijojnë të mungojnë kishat:

"…t’i ndihmojmë famullitë kishtare … të ndërtojnë kishën e tyre!”

Kujtojmë, në përfundim, se Shtatoret e Krishtit Fëmijë, pas bekimit të Papës, do të jenë gati për t’u vendosur në djepat e zbrazur të Shpellave të Betlehemit pikërisht në mesnatën e Këshndellave, kur Krishti vjen rishtas ndërmjet nesh, për të gjetur aty Shën Marinë e Shën Jozefin, dëshmitarë të heshtur të një misteri tepër të lartë. Me shikimin e tyre plot dashuri, ata na ftojnë të lutemi, në pritje të ardhjes së Shëlbuesit Hyjnor, i cili vjen për t’i sjellë botës gëzimin e Krishtlindjes. Shpella e Betlehemit, e vogël ose e madhe, e thjeshtë apo artistike, përbën një simbol tepër shprehës të Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.