Bashkëbisedim katoliko-islamik mbi përgjegjësinë e prijësve fetarë në kohë krize
(16.12.2008 RV)Filloi sot paradite në Romë, takimi i 11-të, organizuar nga
Këshilli Papnor për Dialogun ndërfetar dhe nga "Shoqëria Botërore e thirrjes islamike"(Word
Islamic Call Society), me seli në Tripoli të Libisë. Nisma pason takimet e tjera,
organizuar në seli të ndryshme, së pari më 1976 e, më pas, në mënyrë të rregullt,
që nga viti 1989 deri më sot. Tema e takimit të sivjetëm përqendrohet tek “Përgjegjësia
e prijësve fetarë, posaçërisht në kohë krize”. Pesë seancat e takimit do t’i kushtohen
thellimit, nga ana katolike e ajo myslimane, të tre reflektimeve: “Përgjegjësi fetare”;
‘Përgjegjësi kulturore e shoqërore”; “Kohë krize në rrugën e dialogut ndërfetar”.Në
takim marrin pjesë dymbëdhjetë personalitete dhe specialistë katolikë e po aq, edhe
myslimanë, ardhur nga vende të ndryshme, nën drejtimin e kardinalit Zhan Lui Toran,
kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar dhe Muhamed Ahmet Sherif, sekretar
i përgjithshëm i “Word Islamic Call Society”. Takimi do të përfundojë të mërkurën,
më 17 dhjetor, me audiencën e pjesëmarrësve tek Benedikti XVI.