2008-12-13 18:18:12

Përurohet në Sheshin e Shën Pjetrit, Bredhi i Krishtlindjes 2008.


(14.12.2008 RV)RealAudioMP3 Bredhi, i lartë 33 metra, me moshë 130 vjeçare, sivjet erdhi nga Austria jugore. Është dhuratë për Papën nga komuna austriake Gutenshtain. I lartuar, si çdo vit, pranë Obeliskut, është stolisur për festë me dy mijë sfera vezulluese e me një yll madhështor në majë. Dje pasdite Bredhi, simbol i Festave të mëdha dimërore 2008-2009, u ndriçua në praninë e një delegacioni nga Austria jugore, kryesuar nga governatori i zonës, Ervin Prol. Një fëmijë i ardhur enkas nga kjo krahinë, ndezi dritat e Bredhit në praninë e personaliteteve të Vatikanit e të Austrisë jugore, që shoqëroheshin nga një grup i madh shtegtarësh. Pas një manifestimi të shkurtër, kryesuar nga kardinali Lajolo, grupet folklorike austriake dhanë një koncert me këngë e valle, luajtur nga artistë të Altenburgut, shoqëruar nga instrumentistë të Ziersdorfit.
Kremtimet e Krishtlindjes do të kenë një çast tjetër kulmor më 24 dhjetor, me përurimin e Shpellës tradicionale të Betlehemit në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit. Si çdo vit, grazhdi me Krishtin e sapolindur do të jetë në qendër të skenës, sivjet me pamjen e një strehe mbuluar me dërrasa, mbrojtur nga era prej mureve të qytetit. Mjedisi pasurohet nga hyrja në formë kulle, një portë e madhe në sfond dhe shtëpitë e thjeshta fshatare, përhapur rreth mureve. Natyrisht rolin kryesor e luajnë shtatoret, të cilat edhe sivjet janë ato të Shpellës së Betlehemit ngritur më 1842 nga Shën Vinçenc de Paoli në bazilikën romake San Andrea della Valle por, ashtu si çdo vit, nuk mungon edhe ndonjë personazh i ri.

E të premten e kaluar, duke pritur në audiencë delegacionin austriak ardhur në Vatikan nga Austria jugore, Benedikti XVI e përshkroi kështu Bredhin madhështor, i cili do t’i kënaqë për disa javë jo vetëm romakët dhe mijëra shtegtarët që vijnë në Romë për festat e mëdha, por edhe vetë Papën, që e shikon çdo ditë nga dritarja e studios: “Forma e tij e përsosur, gjelbërimi e dritat mbi degë, janë simbole të jetës. Na kujtojnë misterin e Natës së Shenjtë. Krishti, Biri i Hyjit, sjell në botën e errët, të acartë e të zhytur në mëkat, ku vjen të lindë, shpresë të re e shkëlqim të ri. Në se njeriu ia hap zemrën shkëlqimit të së vërtetës së gjallë, që është Krishti, do të fitojë paqen shpirtërore e do të bëhet ai vetë veprimtar i paqes, në një shoqëri që ka shumë mall për pajtim e shpëtim”.

Kujtojmë se Bredhi i parë i Krishtlindjes në Vatikan u vendos në vitin 1982, për t’u bërë, më pas, traditë e përvitshme. 26 herë me radhë ka ardhur nga vise të ndryshme malore të Italisë, 25 herë nga Austria e 21, nga Kroacia, por edhe nga Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Sllovenia e Republika Sllovake.

Edhe Bredhi i Krishtlindjes, si simbol i krishterë, e ka origjinën në vendet Verievropiane. Me sa duket, lidhet me shfaqjet kishtare, të cilat organizoheshin për festën e Adamit e të Evës, që në Gjermani kremtohej më 24 dhjetor. Bredhi, degët e të cilit zbukuroheshin me fryte simbolike, konsiderohej si Pema e së mirës dhe e së keqes, vendosur në zemër të Parrizit. Duhet kujtuar se në ato kohë populli nuk dinte të shkruante, as të lexonte. Prandaj Kisha organizonte shfaqje teatrore kishtare, me tematikë nga Bibla e nga Ungjilli, që luanin rolin e një katekizmi të inskenuar. Shfaqje të tilla nisën të jepen edhe për Solemnitetin e Krishtlindjes, duke ngritur Bredhat e parë, simbol i Pemës së Parajsës, prej nga djalli, me pamjen e gjarpërit, e gënjeu Evën e ajo hëngri mollën e ndaluar, duke ia dhënë më pas edhe Adamit. Pema e Krishtlindjes, pra, duhet të ishte druri i mollës, por me që një dru i tillë në dimër është i zhveshur, u zevendësua me Bredhin gjithnjë të gjelbërt. E për të kujtuar mollën biblike, në degët e bredhit vareshin fryte molle, ndërsa për të kujtuar Shëlbimin, shtoheshin edhe biskota në formë hostesh si dhe ëmbëlsira e dhurata të të tjera për fëmijët. Prej këndej vendosja e dhuratave poshtë Pemës së Krishtlindjes. Më vonë, në maje të pemës, u shtua edhe Ylli - kometa që u priu Tre Mbretërve drejt shpellës, ku ishte mishëruar Zoti.
Kështu Bredhi u bë shenjë nderimi në kujtim të dhuratës së madhe që na ka bërë Hyji, duke lindur mes nesh si njeri i thjeshtë, i varfër.







All the contents on this site are copyrighted ©.