(13.12.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi festën e Shën Luçisë, Shenjtore guximtare
e besnike ndaj besojmës së saj, me një jetë të ndritur e tragjike, që frymëzoi faqe
të tëra të hagjiografisë së lashtë, të cilat lexohen me një frymë, si roman. Shën
Luçia nderohet shumë kudo në botë. Emri i saj, që në shqip përkthehet Dritë, është
mjaft i përhapur edhe në Shqipëri. Besimtarët shqiptarë i kanë ngritur që kur një
katedrale në qytetin bregdetar të Durrësit. E pikërisht në këtë katedrale u kremtua
përsëri festa e Pajtores. Luçia jetoi në fillim të shekullit IV të epokës së krishterë,
në Sirakuzë. Ngjarja që shënoi kthesën e madhe në jetën e saj ishte shtegtimi së bashku
me nënën e sëmurë në Katania të Italisë, për të marrë pjesë në përkujtimin e martirizimit
të Shën Ages. U gjunjëzuan së bashku mbi varrin e martires dhe u lutën për shërimin
e të sëmurës. Luçia ra në një dremitje të thellë. Iu duk, si në ëndërr, Agia virgjër
e i tha: "Luçí, motra ime, pse ma kërkon mua, atë që e ke fituar vetë? Ja, për hir
të fesë sate, jot ëmë është shëruar. Ashtu si Krishti lumnoi nëpërmjet meje qytetin
e Katanies, ashtu do të lumnojë nëpër ty qytetin e Sirakuzës, sepse me virgjërinë
tënde i ke përgatitur një banesë të këndshme Zotit”. Kur vajza u zgjua nga gjumi,
mrekullia ishte kryer. E ajo vendosi t'ia kushtonte gjithë jetën Zotit!Shën Luçia,
Pajtore e njerëzve që vuajnë nga sëmundjet syve, u martirizua njëmijë e shtatëqind
vjet më parë, gjatë persekutimeve të Dioklecianit.