365 ditë: "Robert Shuman dhe hapi i parë drejt Bashkimit Evropian".
(14.12.2008 RV)Jemi në vitin 1950.
Nuk kanë kaluar ende pesë vjet nga përfundimi i Luftës II Botërore. Pesë vjet janë
tepër pak për të shlyer ca kujtime tejet të hidhura. Edhe pse kombet e ndryshme të
Evropës nënshkruan paqen në vitin 1945, nuk mund ta harrojnë kaq shpejt se pak kohë
më parë ishin armike, të kacafytyra për jetë a vdekje. Askush nuk mund ta përfytyrojë,
veçanërisht, se Franca e Gjermania mund të bëhen mike: gjatë shtatëdhjetë vjetëve
kanë luftuar tri luftëra gjakatare njëra kundër tjetrës. Kështu, kur francezët
dëgjojnë të flitet për projektin e Robert Shumanit, ministrit të tyre të jashtëm,
nuk u besojnë veshëve. Ku projekt synon të krijojë lidhje miqësie ndërmjet gjashtë
vendeve evropiane...ndër to, Gjermania. Për shumkënd, Robert Shumani është një ëndrrimtar
i madh. Të tjerë janë thellësisht të pakënaqur dhe e akuzojnë si bashkëpunëtor të
gjermanëve. Por Robert Shuman nuk është as i çmendur e as tradhtar. Është thjeshtë
i bindur se Evropa ka mbetur e përçarë për një kohë tepër të gjatë; në të ardhmen
duhet të sigurojë paqen, në se dëshiron që banorët e saj të jetojnë të lumtur. Me
qëndrimin e tij, ai përpiqet të ndërtojë një urë ndërmjet Francës e Gjermanisë. I
lindur në Luksemburg në vitin 1886, më 1912 u vendos në krahinën franceze të Alsasë-Lorenës,
për të ushtruar aty profesionin e tij si avokat. Për dyzet vjet, gjatë disa luftërave,
Alsasa e Lorena janë mollë sherri ndërmjet Francës e Gjermanisë. E pikërisht këtu,
ku s’pushon lufta, Robert Shuman nis të ëndërrojë Evropën e bashkuar, në të cilën
dy shtetet armike bëhen, më në fund, mike. Shuman e merr shtytjen edhe nga feja e
krishterë: është i bindur se të krishterët duhet të bëjnë ç’është e mundur për të
sjellë paqen në botë. E thotë vetë Jezusi: “Lum ndërtuesit e paqes, sepse do të quhen
bij të Hyjit!”. Në një farë mënyre, Robert Shuman i përgjigjet thirrjes së bërë
dymijë vjet më parë nga Jezu Krishti... Për fat, edhe në shtetet e tjera evropiane
ka politikanë, që duan t’i përgjigjen kësaj thirrjeje. Në Gjermani, në Belgjikë e
në Itali, qeveritarët e kësaj periudhe janë të krishterë, si Robert Shumani dhe e
dëshirojnë paqen, po aq sa ai. E falë kësaj, në Evropë ndodh e pabesueshmja. Në vitin
1951, gjashtë vende: Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Vendet e Ulëta e Luksemburgu
nënshkruajnë një besëlidhje: është hapi i parë drejt atij, që sot quhet Bashkimi Evropian.