365 ditë: "Doroti Dei, një e krishterë paksa kokëkrisur".
(13.12.2008 RV)“Zonja Dei...Në moshën tuaj kjo është një sjellje krejt e papranueshme...”. Zonja
plakë i buzëqesh policit, që po i mbërthen prangat. Ndoshta duhet konsideruar marrëzi
që një grua në moshën gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçare, të marrë pjesë në grevën e
punëtorëve meksikanë, të shfrytëzuar nga industrialistët amerikanë? Apo ndoshta-ndoshta
marrëzi janë prangat, që po ia lidhin duart, të cilat nuk rrinë kurrë rehat. Por Dorotisë
nuk i bëhet vonë fare. Ka qenë gjithnjë kokëshkretë. ‘Marrëzinë’ e parë e bëri që
kur ishte tridhjetë e gjashtë vjeçe. Në ato vite, një krizë e rëndë ekonomike i flaku
mijëra amerikanë në mjerim. Doroti Dei, asokohe gazetare, vendos të themelojë një
gazetë katolike, përmes së cilës u bën thirrje njerëzve të tregohen bujarë, duke nxitur
kështu një valë të vërtetë solidariteti. Me disa miq, punon ditë e natë në kuzhinën
e shtëpisë së saj, ku shkruhen artikujt kryesor të gazetës. Ju duket gjë e arsyeshme
kjo? E megjithatë Doroti ia arrin qëllimit: në fund të vitit gazeta ka një sukses
të jashtëzakonshëm. Nga shtypi dalin njëqind mijë kopje. E, falë parave që mblidhen
nga gazeta, ngrihen tridhjetë shtëpi për të varfërit! Ndër to strehohen të gjithë
ata, që jetojnë në mjerim, pa kurrfarë dallimi. Doroti përsërit shpesh, me ironi,
këtë frazë: “Po si s’vutë mend akoma, zonjushe Dei. Të varfërit duhen përzgjedhur,
duhen strehuar vetëm njerëzit për së mbari. Pijanecët e bjerraditësit e kanë vendin
në rrugë të madhe”. Po Doroti s’ua vë fare veshin këtyre këshillave. E manifestimet
që organizon më 1935 kundër policisë së Hitlerit, gjatë persekutimit të hebrenjve
në Gjermani? Në këtë kohë SHBA nuk janë ende në luftë me Hitlerin. Doroti arrestohet,
sepse dogji flamurin me kryq të thyer. Punë me mend është ta mbyllësh njeriun në burg,
pse dogji një copë stofe?E ç’të thuash, pastaj për luftën e saj kundër racizmit?
Rreth viteve 1950 në SHBA zezakët shikohen si qenie të ulëta. Doroti flaket disa herë
pas hekurave të kryqëzuara, sepse vihet në mbrojtje të tyre. “Jeni kokëshkretë”
- i përsërisin për të satën herë. S’ke ç’i thua: nuk ka farë dyshimi se kjo grua
ka qenë gjithnjë kokëshkretë! E megjithatë, është e sigurtë se ka arsye. Nga ana tjetër,
Kisha e mbështet. Papa dhe ipeshkvijtë nuk kanë thënë kurrë se i kapërcen kufijtë.
Përkundrazi, i japin zemër. Mendojnë se pikërisht njerëzit si ajo e bëjnë botën më
të mirë, me bujarinë e me fenë e tyre “paksa kokëkrisur”.