Papa shtegtarëve të Austrisë së Ultë: Krishti është shpresa e një bote që jeton në
errësirë
(12.12.2008 R.V.)Papa Benedikti XVI priti sot paradite pjesëmarrësit e ardhur
në Vatikan nga Austria e Ultë, për ndezjen e pemës së Krishtlindjes, dhuratë e bashkisë
së Gutensteinit, që do të bëhet nesër pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Pema e Krishtlindjes e shpella e Betlehemit janë quajtur nga Papa si “simbole të jetës”
që “na sjellin te misteri i Natës së Shenjtë” në të cilën Krishti “në botën e zhytur
në errësirë, në acar e të pa shëlbuar, vjen për të lindur, një shpresë e re një shkëlqim
i ri”. “Kur njeriu leton të ndriçohet nga drita e vërtetë dhe e gjallë që është Krishti
– shtoi Benedikti XVI – përjeton paqen e brendshme në zemër e bëhet veprimtar i paqes
në një shoqëri që ka kaq shumë nostalgji për pajtim e shpëtim”. Duke folur për
vizitën e vitit të kaluar në Austri, papa kujtoi “historinë thellësisht të krishterë
“ të këtij Vendi siç dëshmon prania e shumë kuvendeve e Kishave e pastaj i ftoi besimtarët
që “në një farë mënyre të vazhdojnë ta mbajnë gjallë dëshminë për Krishtin, për t’u
dhënë njerëzve mbështetje e orientim në jetën e tyre”. Papa falënderoi për dhuratën
e pemës së Krishtlindjes e shprehu urimet më të përzemërta për “ festën e Krishtlindjes”
duke siguruar lutjen e tij e duke i porositur të gjithë ndërmjetësimit të Marisë,
pajtores qiellore të Austrisë e pajtores së rajonit, të Leopoldos”.