2008-12-12 19:00:11

Me 12 dhjetor kalendari kishtar perkujton festën e Zojës së Guadalupes


(12.12.2008)RealAudioMP3 Emocion të thellë e gëzim të thellë ngjalli edhe sot kremtimi i liturgjisë së Fjalës së Zotit në Shenjtëroren më të madhe mariane të botës, që lartohet mbi kodrën e Tepeyakut, mes malesh e vullkanesh, me lartësi që i kalojnë të pesëmijë metrat. Kremtimi, ashtu si çdo vit, u shoqërua me këngë lirike spanjolle, me valle të lashta indiane, me tingujt natyrorë të guaskave karaibike e të daulleve festive.
Kështu indianët u bënë përsëri protagonistë. E pikërisht në kohën kur në Meksikë çështja e të drejtave të tyre është në rendin e ditës, Kisha radhitet me vendosmëri përkrah, duke ua njohur dinjitetin në formën që për të është më e larta: atë të shenjtërisë.
Zoja e Guadalupes, pavarësisht nga ndryshimet e thella që vërehen rreth saj, vijon të jetë pikë e sigurtë referimi për meksikanët e të gjitha etnive, të të gjitha konfesioneve fetare. Një tregim i lashtë guadalupan i indianëve rrëfen: "Paraardhësit tanë i ofronin Zotit zemra prej mishi, të shkulura nga kraharori njerëzor, që në botë të kishte harmoni. Ndërsa Gruaja, që nderohet në shenjtërore, pa na i shkulur nga gjoksi, na bën t'i lemë vetë zemrat tona në duart e saj, që ajo, pastaj, t'ia paraqesë Zotit të vërtetë!”.
Në fund të kremtimit, prandaj, besimtarët u gjunjëzuan edhe një herë para figures së Zonjës, për të vënë në duart e saj zemrat e tyre. Pa harruar t’i luten edhe shenjtit të parë indian, Huan Diegos, me të cilin lidhet ngushtë historia e Zojës së Guadalupes.
Në vitin e largët 1531, Virgjëra Mari deshi t 'i dukej papritmas pikërisht atij - fshatarit të varfër të fisit Chichimek, të cilin ipeshkvi i vendit nuk deshi ta besonte - për ta bërë lajmëtar të Ungjillit. E mbi mantelin e Huan Diegos la fytyrën e saj, një fytyrë metise, origjinën e së cilës shkenca nuk ka arritur ta shpjegojë.
Zoja e Guadalupes, as e bardhë e as indiane, por metise, - ka thënë kryeipeshkvi i Qytetit të Meksikos, kardinali Norberto Rivera Carrera - është një mesazh për bashkim ndërmjet popujve të ndryshëm, të pajtuar në fenë e përbashkët në Krishtin.
Bazilika, që na kujton këtë ngjarje, sipas traditës, nisi të ndërtohej pasi Zonja e Bekuar, ndërmjet 9 e 12 dhjetorit 1531, iu duk pesë herë me radhë indianit Huan Diego, një ndër vendasit e parë të kthyer në kristianizëm. Emri Guadalupe vjen nga fjala indiane "Coatlaxopeuh" "Ngadhënjyesja mbi gjarprin": më 1737 Zoja e Guadalupes u shpall "Pajtore e Meksikës"; më 1910 "Pajtore e Perandoreshë e Amerikës", më 1935 edhe e Filipineve. Prandaj në të hyrë të Bazilikës shpalosen 24 flamujtë e vendeve amerikane dhe ai i Filipineve.Duke pasur parasysh dëmtimet e rënda që kishte pësuar bazilika e vjetër nga tërmetet e herëpashershme, Konferenca ipeshkvnore vendosi të ngrinte një shenjtërore të re: guri i saj i parë u vendos më 12 dhjetor 1974. Mbi këtë gur do të lartohej shenjtërorja e sotme, e cila i ngjet çadrës që Moisiu ngriti në këmbët e malit Sinai sipas urdhërit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.