Koment i atë Federiko Lombardit mbi Udhëzuesin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë
(12.12.2008 RV)Udhëzuesi “Dignitas personae” u paraqit sot në Vatikan, nga
imzot Fransisko Ladaria, Sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, nga imzot Rino
Fizikela, Kryetar i Akademisë Papnore për jetën, nga profesoresha Maria Luisa Di Pietro,
Kryetare e Shoqatës Shkenca dhe Jeta e nga imzot Elio Sgreçia, ish-kryetar i Akademisë
Papnore për jetën. Të dëgjojmë një reflektim të drejtorit të Sallës së Shtypit të
Selisë së Shenjtë dhe drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi: “Dokumenti
i ri i Vatikanit mbi bioetikën – pas një leximi sipëfaqësor - mund të japë përshtypjen
se është një përmbledhje ndalimesh, apo “jo”-shë. Nuk është kështu. Bazohet, duke
filluar që nga titulli, mbi afirmimin themelor të “dinjitetit të njeriut”, e vazhdon
me një seri pohimesh pozitive mbi dinjitetin e martesës dhe të bashkimit personal
të bashkëshortëve për t’i dhënë origjinë jetës, mbi rezultatet pozitive të shkencës
për të kapërcyer patologjitë e infertilitetit, mbi punën kërkimore-shkencore dhe përdorimin
terapeutik të qelizave staminale të rritura e kështu me radhë. Në një kontekst
plot me shqetësime të rënda dhe të bazuara për rreziqet e manipulimit të jetës njerëzore,
falë mundësive të reja ofruar nga shkencat biologjike e mjekësore, dokumenti “Dignitas
personae” paraqitet si një fashë e fuqishme drite e burim besimi. Me një stil të qartë
e të kuptueshëm, falë pohimit të pak parimeve themelore, arrin të bëjë një përzgjedhje
etike të sigurtë mbi një sërë situatash të ndërlikuara, sot, shumë të diskutuara jo
vetëm në nivel shkencor, por edhe në opinionin publik e në jetën e përditshme. Parimet
janë këto: respekti për njeriun që nga zënia e respekti për transmetimin e jetës përmes
bashkimit të bashkëshortëve. Janë parime, që mund të kuptohen nga të gjithë, por që
shoqërohen edhe me këndvështrimin e krishterë mbi njeriun. Kisha mendon
se duhet të jetë e guximshme dhe e vendosur në pohimin e tyre. Vazhdimësia e zhvillimit
të njeriut që nga zënia nuk lejon pasiguri në mbrojtjen e embrionit dhe të dinjitetit
të tij. Kështu edhe çdo njeri ka të drejtë të lindë nga dy prindër e jo të jetë i
porositur në laborator, prodhim i aftësisë teknike të një mjeku. Është
një qëndrim në favor të qënieve njerëzore të vogla e të dobëta, që nuk kanë zë e që
sot – në të vërtetë – nuk gjejnë shumë që të flasin në favor të tyre. Është një qëndrim
i kërkuar nga zhvillimi aktual i biologjisë dhe i mjekësisë së zbatuar në problemet
e fillimit të jetës njerëzore, dhe është largpamës. Jep një kontribut, jo vetëm të
ligjshëm, por të detyrueshëm, për të orientuar pozitivisht impenjimin e punës kërkimore-shkencore
dhe të mjekësisë. Rezultatet e mëdha që po arrihen nga impenjimi i qelizave staminale
të rritura – të inkurajuara nga etika katolike – janë një shembull për këtë. Prandaj,
nuk kemi të bëjmë me një “ndal” ndaj impenjimit të shkencës në favor të jetës, por
në të kundërt, me një sërë këshillash që shkenca të jetë me të vërtetë në shërbim
të jetës e jo të vdekjes, apo të manipulimit arbitrar e të rrezikshëm të njeriut.
Është një kontribut i guximshëm, i apasionuar dhe i bindur, për një çështje fisnike”.