2008-12-12 18:46:36

Ekumenizmi: Papa pergezon per hapat domethenes ne idalohun me Kishat ortodokse


(12.12.2008 R.V.)Në takimin e sotëm në Vatikan me pjesëmarrësit e Mbledhjes Plenare të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, Papa Benedikti XVI nënvizoi hapat e rëndësishëm që janë bërë në fushën e marrëdhënieve me Kishat ortodokse. Duke përmendur temën e Asamblesë “Pranimi dhe e ardhmja e dialogut ekumenik”, Papa Racinger kujtoi ecurinë e bërë në udhën drejt bashkimit të plotë ndërmjet të krishterëve e vuri në pah vlerën e dokumentit të fundit të Komisionit të Përzier ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishave ortodokse mbi “bashkimin kishtar, udhëzimet konciliare e autoritetin”.
“...ky dokument me siguri hap perspektiva pozitive të reflektimit mbi marrëdhëniet që ekzistojnë ndërmjet primatit e sinodalitetit në Kishë, argument ky me rëndësi thelbësore në marrëdhëniet me vëllezërit ortodoksë, e që do të jetë objekt i thellimit dhe ballafaqimit në mbledhjet e ardhshme”.
Ekumenizmi – pohoi më tej Papa Benedikti XVI - na nxit në një shkëmbim vëllazëror e bujar të dhuratave, sepse Ekumenizmi është “zemra e gjallë” që rreh për një bashkim të plotë në fe “në sakramente e në mbarështim”. E kësaj duhet t’i afrohet e bashkohet dashuria:
“Dashuria do ti ndihmojë të krishterët ta kultivojnë në të vërtetën ‘etjen’ e bashkimin të plotë e, duke ndjekur pa kundërshtuar frymëzimin e Shpirtit Shenjt, mund të shpresojmë të arrijmë bashkimin e dëshiruar një ditë që vet Zoti e do”.
Së fundit Papa bëri thirrje që përveç udhëve e shtigjeve që deri më tani janë përshkuar, të kërkohet udhë të reja për të vazhduar matej “udhën drejt bashkimit të plotë ndërmjet të krishterëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.