2008-12-12 19:00:45

365 ditë: "Gërmimet nën Bazilikën e Shën Pjetrit, nga viti 64... në vitin 1950".


(12.12.2008 RV)Punëtorët e ndërprenë gërmimin e shtangën me kazmat përpjetë. Ç’duhet bërë përballë një zbulimi të tillë? Njëri prej tyre merr fjalën: “Mos lëvizni fare, djema. Po vrapoj në Pallat të Vatikanit. Asnjë shaka! Asnjë lëvizje tjetër, kuptuat?”.
Punëtori ngjitet në bazilikën e Shën Pjetrit, që ndodhet pikërisht përmbi kantier. Arrin shpejt e shpejt në Pallatin Apostolik. Kërkon të flasë me kardinalin Eugjen Paçeli, ministrin e Papës Piu XI, i cili ka vdekur pak kohë më parë.
“Imzot, ju keni dhënë urdhër të hapet një varr për Papën poshtë elterit të Bazilikës. Por, duke gërmuar, zbuluam varre të lashta. A duhet t’i sheshojmë?”.
Kardinali zgurdullon sytë. Një varrezë e lashtë poshtë Bazilikës!?
“Mos prekni më asgjë. Po thërres arkeologët”.
“Ar - ke?”.
“Arkeologët. Janë specialistë, që nxjerrin në dritë ndërtesat e lashta, të varrosura nën dhe. Do t’i studiojnë edhe këto varre, duke na ndihmuar të mësojmë historinë e tyre”.
Disa javë më pas, më 2 mars 1939, Eugjen Paçeli zgjidhet papë me emrin Piu XII. E sapo zgjidhet, urdhëron menjëherë fillimin e gërmimeve arkeologjike. Shpreson se do të gjejë varrin e Shën Pjetrit, dishepullit të Krishtit, kreut të parë të Kishës. Që në lashtësi besohej se Bazilika e Shën Pjetrit ishte ndërtuar mbi varrin e Apostullit. Prandaj edhe ishte bërë cak shtegtimesh e Kishë e papëve. Por deri në atë kohë nuk kishte asnjë element, që të vërtetonte se varri ishte vërtetë aty, poshtë. Arkeologët vihen në punë me duresë të madhe. Papa pret rezultatet. I duhet të presë gjatë: puna e arkeologëve i ngjet asaj të çertozinëve! Në vitin 1942, pasi nxjerrin në dritë një varrezë të madhe, arkeologët zbulojnë, më në fund, një varr. Duket se është pikërisht ai që kërkonin. Ndodhet nën një shtyllë të thyer: shkrimet e vjetra flasin pikërisht për një shtyllë të tillë mbi varrin e Shën Pjetrit!
Arkeologëve u duhen edhe tetë vjet të tjera, që të sigurohen për zbulimin. Duhet të lexojnë shkrimet në murin pas shtyllës. E aty gjejnë emrin e Pjetrit. Studiojnë edhe dyshemenë plot me mozaikë të kuq. Gjithçka flet për një vend, që nderohej qysh në shekujt e parë. Në vitin 1950 arkeologët bëjnë të njohura, pa kurrfarë dyshimi, përfundimet e kërkimeve të tyre. Ditën e Krishtlindjes, Piu XII, njofton, i lum, në Radio: “U rigjet varri i Princit të Apostujve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.