Papa, studentëve romakë: Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve të bëhet ushqim
për fenë
(11.12.2008 RV)Bota e universitarëve
romakë u shtrëngua sot përreth Papës Benedikti XVI, në takimin që bëhet çdo vit, që
prej 30 vjetësh, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Është një moment lutjeje
e reflektimi në prag të Krishtlindjes. Pasdite, në orën 17.00, u kremtua Mesha e kryesuar
nga kardinali vikar për dioqezën e Romës, Agostino Valini. Në përfundim të saj, Ati
i Shenjtë zbriti në Bazilikë për të përshëndetur studentët dhe për t’u besuar atyre
një nga shkrimet më të rëndësishme të Shën Palit Apostull, Letrën drejtuar Romakëve.
Gjatë kremtimit, ikona e Shën Marisë, Seli e Dijes, simbol i të rinjve universitarë
dhe i Ditëve Botërore të Rinisë, kaloi nga delegacioni rumun në atë australian, në
praninë e kardinalit Xhorxh Pell, kryeipeshkëv i Sidnejt. Duke reflektuar mbi Letrën
e Shën Palit drejtuar Romakëve, Papa uroi që ky shkrim të bëhet ushqim për fenë
e universitarëve, duke i bërë të besojnë më shumë e më mirë, për të arritur tek një
fe “e menduar” e njëkohësisht, duke i bërë ta jetojnë fenë, sipas të vërtetave të
urdhërimeve të Krishtit.Vetëm kështu – u tha Benedikti XVI studentëve
– dëshmia e fesë bëhet e besueshme për të tjerët. Sivjet, të rinjtë romakë reflektojnë
mbi Pagëzimin, si Sakrament rrënjësor për t’u rizbuluar. Të jesh i pagëzuar në Krishtin
– u tha Papa atyre, duke perifrazuar Shën Palin Apostull – do të thotë të zhytesh
shpirtërisht në atë vdekje, që është akti i dashurisë së pafundme dhe universale të
Zotit, i aftë ta shpëtojë çdo person e çdo krijesë nga skllavëria e mëkatit e nga
vdekja. Askush s’mund të na ndajë nga kjo dashuri e Zotit, shpjegoi Shenjtëria e Tij.
Ungjilli është rruga për të arritur plotësinë e jetës. Këtë rrugë e ka përshkuar edhe
Jezusi, madje Ai vetë është rruga, që ne, përmes Tij, të shkojmë tek Ati. Ky është
misteri i Ardhjes dhe i Krishtlindjes, përfundoi Papa Racinger, duke u uruar të gjithëve
Festën e Lindjes së Foshnjes Hyjnore.