2008-12-10 14:20:51

Rritet numri i të uriturve në botë. Raporti i FAO-s mbi sigurinë ushqimore


(10.12.2008 RV)Uria përhapet gjithnjë e më shumë në botë e shkakton gjithnjë e më tepër viktima: sot numërohen gati 1 miliard persona të paushqyera si duhet. Këto janë të dhënat alarmante të raportit të fundit të FAO-s (Organizatës ndërkombëtare për Ushqimin dhe Bujqësinë), i cili ka si titull pikërisht “Gjendjen e pasigurisë ushqimore në botë”.
Numri i saktë është 963 milion, 115 milion më tepër se në dyvjeçarin 2003-2005. Në Azi, 583 milion vetë vuajnë nga uria. Në Afrikën sub-sahariane një ndër tre persona gjen me vështirësi ushqim. Edhe në Amerikën Latine, e cila gjatë viteve të kaluara pati bërë përparime, numri i të uriturve ka arritur në 51 milion. Gjendja mund të keqësohet më tej, për shkak të krizës financiare dhe ekonomike botërore.
Në bazën e kësaj rritjeje dramatike dhe të shpejtë të numrit të të uriturve, sipas FAO-s, qëndron rritja e çmimeve të lëndëve të para bujqësore. Gjithashtu, kostoja e jetesës ka shkaktuar edhe uljen e shpenzimeve familjare në sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit, me ndikim sidomos në jetën e fëmijëve, të grave shtatzëna dhe të nënave lehonë. Rritja e çmimeve, që ka shkaktuar zvogëlimin e sasisë së ushqimit në dispozicion për miliona të varfër, mund të hapë edhe ndonjë spiral shprese. Sipas ekspertëve të FAO-s, mund të kthehet në mundësi zhvillimi për miliona bujq të vegjël, duke favorizuar zgjerimin e tregjeve rajonale dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Rrugët, që këshillon OKB-ja, parashikojnë përforcimin e sektorit bujqësor, përmes rritjes së prodhimit dhe nisjen e programeve të mbrojtjes sociale për kategoritë më të dobëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.