2008-12-10 19:40:21

Papa, për 60-vjetorin e Deklaratës të të drejtave të njeriut, kërkon që “ këto të drejta të njihen, të mbrohen, të promovohen”.


(10.12.2008 RV)RealAudioMP3 Sot, në Sallën e Palit VI në Vatikan u mbajt një akt përkujtimor reflektues e studimor, kushtuar 60-vjetorit të Deklaratës të të Drejtave të Njeriut.
Të pranishëm - krerët e dikastereve të Kuries dhe Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, që reflektuan për aktualitetin e Deklaratës. Ndërmjet atyre, që morën fjalën, ishin sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, kardinali Renato Martino dhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Punës, Juan Somavia. Të pranishëm, edhe presidenti italian, Gjorgjio Napolitano, Princi e Mjeshtri i Madh i Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, vëllau Metju Festing dhe personalitete të tjera të botës politike, kishtare e diplomatike.
Në përfundim të kremtimit solemn, organizuar pikërisht ‘për të ripohuar vlerat e parimet e kësaj Deklarate, iu dorëzuan pesë çmime, pesë personaliteteve dhe institucioneve, që shquhen në fushën e impenjimit shoqëror e të luftës për paqen. Zotit Kornelio Samaruga, ish kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, iu dorëzua çmimi i përgatitur nga Fondacioni i Shën Mateut për kujtim të kardinalit Van Thuan. Më pas çmimi ‘Solidaritet e zhvillim’ Atë Pedro Opekës, misionar në Madagaskar; Atë Hosè Raul Mate, misionar ndërmjet të gërbulurve në Amazonë; organizatorëve të projektit Gulunap, për realizimin e një fakulteti të mjekësisë në Ugandën veriore si dhe drejtuesëve të projektit Fshati i Erkolinëve, për integrimin e fëmijëve dhe të të rinjve rom në Romë.
Pastaj Inma Shara drejtoi koncertin, organizuar nga Orkestra Simfonike e Frankfurtit. Është gruaja e parë që drejton një kompleks simfonik në Vatikan. Në program, Uvertura e ‘Ëndër e një nate vere” e Feliks Mendelson; ‘Koncert për piano e orkestër’ i Volfgang Amadeus Mozart; ‘Elegji’ e Amilkar Ponkielit dhe Vallja n.1 ‘Jeta e shkurtër’ e Manuel de Fala.
Në përfundim të koncertit, Ati i Shenjtë, pasi falënderoi me radhë të pranishmit dhe personalitetet, që u nderuan me çmime, theksoi:
 
60 vjet më parë, më 10 dhjetor, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e mbledhur në Paris, adoptoi Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, që përbën edhe sot një pikë shumë të lartë referimi për dialogun ndërkulturor mbi lirinë e të drejtat e njeriut. Dinjiteti i çdo njeriu garantohet me të vërtetë, vetëm atëhere kur të gjitha të drejtat themelore njihen, mbrohen, promovohen. Kisha ka ripohuar gjithnjë se të drejtat themelore janë universale, sepse të rrënjosura thellë në vetë natyrën e njeriut”.
 
Ligji natyror – vijoi Benedikti XVI – i shkruar nga Zoti në ndërgjegjën njerëzore, është emërues i përbashkët për të gjithë njerëzit, të gjithë popujt: është prijës universal, që mund ta njohin e ta kuptojnë të gjithë:

Të drejtat e njeriut themelohen nga Hyji krijues, i cili u dhuroi të gjithëve arsyen e lirinë. Shkëputur nga kjo bazë e shëndoshë etike, të drejtat njerëzore mbeten të brishta, sepse pa themelin e tyre të fortë”.

 
Kremtimi i 60-vjetorit të Deklaratës – shtoi Papa – është edhe rast i përshtatshëm për të verifikuar në ç’masë idealet, e pranuara nga shumica e bashkësisë së Kombeve më 1948, respektohen sot në ligjshmëritë e ndryshme kombëtare e, sidomos, në ndërgjegjet e individëve e të kolektivave. Nuk ka dyshim se është bërë një rrugë e gjatë – pohoi Papa - por mbetet akoma shumë për t’u bërë. E kjo, sepse miliona njerëzve u shkelet e drejta për të jetuar, u mungon liria e siguria; u dhunohet barazia e dinjiteti, ndërsa mure të reja ngrihen për shkak të racës, të fesë, të opinioneve politike e të bindjeve të tjera.Në përfundim Benedikti XVI uroi të vijojë me hov të ri impenjimi për t’i promovuar e për t’i përcaktuar më mirë të drejtat e njeriut si edhe përpjekja për të garantuar respektimin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.