2008-12-10 17:52:16

365 ditë: "Ipeshkvijtë shqiptarë dhe lidhja e pakëputur me Papën".


(10.12.2008 RV)RealAudioMP3 Ipeshkvi plak i Pultit, imzot Bernardin Shllaku, i afrohet dritares së vogël, prej nga hyn pak, tepër pak dritë. Mezi ec. Tronditja e thellë e kohëve të fundit po e shkrin dalëngadalë, si qiriun që ndizet e digjet e, pasi pikon pikën e fundme të dyllit, kthehet plotësisht në dritë. Jemi në një ditë të bukur qershori të vitit 1951. Ipeshkvi plak i ka nisur Këshillit të Ministrave shkresën me n. protokolli 199/ 51, me të cilën, si pohon se ishte arritur edhe miratimi i klerit, kërkon që Statuti i Kishës Katolike të Shqipërisë t’i paraqitej për miratim Presidiumit të Kuvendit Popullor. Një muaj më pas, më 3 gusht 1951, Statuti ishte i miratuar.
Me dorën e plakur, që i dridhet, hap për të satën herë zarfin e madh. Nxjerr që aty një letër të bardhë dhe e vëren me vëmendje kundër dritës, që hyn nga dritarja e vogël. Nuk ka kurrfarë dyshimi: në të duket qartë vula e thatë e Selisë Apostolike. Fytyra e zbehtë e ipeshkvit plak skuqet flakë. I kujtohen poshtërimet që iu desh të kapërcente, torturat, në sa kryeministri gjakatar i vendit të vogël bënte çmos ta nënshtronte. E pastaj dora e shtrirë e tij e shprehja: “Ti më jep firmën, unë besën e burrit se Kisha shqiptare do të mbetet e lidhur me Selinë e Shën Pjetrit. Se si do të realizohet kjo, do ta dimë vetëm ne të dy. Përndryshe, me apo pa dashjen tuaj, kjo do të jetë dita e fundit e jetës e krishterimit në këtë vend...”.
Duke parë atë vulë, që vinte nga vendi i largët, tash për tash i paarritshëm, ndjen një dhimbje të fortë në gjoks: ka mbetur vetëm ai, për të përfaqësuar një radhë ipeshkvijsh të mëdhenj. Kujton imzotin e madh, Karl Pooten; imzotin e mençur, Pashko Guerinin; imzotin bujar, Jak Serreqin, për të cilin populli thoshte ‘e ka ‘i rrem krajli’; imzotin e ditur Lazër Mjedën; imzotin trim mbi trimat, Gasper Thaçin, që e ktheu edhe vdekjen në simbol feje e qëndrese. Mandej ipeshkvijtë e martirizuar, që e lanë vetëm, sepse të vdekur në tortura, të mbyllur në qeli e të izoluar në banesat e tyre: imzotin e madh e gazmor, Luigj Bumçin; imzotin e talentuar, Vinçenc Prennushin; imzotin autoritar, Gjergj Volajn; imzotin e vendosur, Frano Gjinin; imzotin e shkathët, Antonin Fishtën; imzotin delikat, Pjetër Demën; imzotin e butë, Ernest Çobën, që e kishte shuguruar ai vetë. Në fund të vitit 1948 hjerarkia nuk ekzistonte më. Qeveria dikatoriale besonte se ia kishte arritur qëllimit për t’i dhënë fund një herë e mirë Kishës katolike....
Shumë prej meshtarëve e quajtën Statutin e Kishës ‘modus moriendi - mënyrë për të vdekur’, por ai ishte i bindur se ky dokument, që u nënshkrua sa nën përdhunë, aq nën besë, ishte një ‘modus vivendi- mënyrë për të jetuar’. Ipeshkvi i ri, imzot Nikollë Troshani, emri i të cilit shënohej në letrën e ardhur nga larg, nuk ishte asnjëri nga të dhjetët, që kishte kërkuar, por sidoqoftë, qe miruatuar nga vetë Papa. Arsyeja mbetej për t’u shqyrtuar. Më vonë. Shumë më vonë. Sidoqoftë, lidhja nuk ishte këputur, nuk do të këputej kurrë. Duke u larguar nga dritarja, ipeshkvi plak përsëriti për të qindtën herë shprehjen: “Deri këtu e çuem punën. Ma ndej kanë për ta çue ata që do të vinë”. Ishte i sigurtë se Kisha katolike e hjerarkia nuk do të merrnin fund me kaq. Të tjerë do të vinin...E vërtetë të tjerë erdhën. Drita e Eukaristisë fitoi mbi errësirën. Dëshmitarë të kësaj fitoreje janë mijëra besimtarët, që ndoqën Meshën Shenjte, kremtuar më 4 nëntor 1991 në varrezën e vjetër katolike të Shkodrës. Sot Kisha katolike në Shqipëri ka hjerakinë e re, të mirëorganizuar, dhuratë e Papës Gjon Pali II, kur vizitoi vendin më 25 prill 1993 dhe e Benediktit XVI, që do të pritej me entuziazëm të madh nga grigja e vogël, por guximtare, katolike e shqiptarëve, në se do t’i përgjigjej ftesës për të shkelur në këtë tokë martirësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.