2008-12-09 16:18:27

Papa: dialogu ndërkulturor e ndërfetar është përparësi, por pa iu nënshtruar relativizmit e sinkretizmit.


(09.12.2008 RV) Dialogu është detyrë e dorës së parë për Evropën e larmia, fakt pozitiv, por nuk duhet t’i nënshtrohen relativizmit: këto janë disa nga konceptet që përmban mesazhi i Papës drejtuar kardinalit Zhan-Lui Toran dhe kryeipeshkvit Xhanfrako Ravazi, që organizuan pak ditë më parë një Ditë studimi, kushtuar temës ‘Kultura e fe në dialog”. Mesazhi u botua sot. Benedikti XVI ripohon se rrënjët e krishtera të Evropës janë të gjalla, edhe pse shumëkush duket se do të dëshironte të mos i njihte.

“Dialogu ndërkulturor e ndërfetar është detyrë e dorës së parë për Bashkmin Evropian”: Papa e thotë qartë. Larmitë, pra, duhen parë si e dhënë pozitive. E ky këndvështrim duhet t’i nxisë njerëzit jo vetëm ta pranojnë ekzistencën e kulturës së tjetrit, por edhe ta shfrytëzojnë për të pasuruar kulturën e tyre.
Benedikti XVI ripohon se Evropa e sotme është fryt i një qytetërimi dymijëvjeçar, rrënjët e të cilit shtrihen si në trashëgiminë e jashtëzakonshme e të lashtë të Athinës e të Romës, ashtu edhe në truallin pjellor të krishtërimit, që qe i aftë të krijonte pasuri të reja kulturore, duke shfrytëzuar kontributin origjinal të të gjitha qytetërimeve. Humanizmi i ri, që lindi nga përhapja e mesazhit ungjillor i larton të gjitha elementet e denja për njeriun e për fatin e tij të mbinatyrshëm. Për më tepër, i pastron nga mbeturinat që errësojnë fytyrën e tij të vërtetë, të krijuar sipas shembëllesës së vetë Hyjit. Kështu Evropa sot ka pamjen e një pëlhure të çmuar, endi i së cilës formohet nga parime e vlera, që burojnë nga Ungjilli, ndërsa kulturat kombëtare ditën të qindisin mbi të një pafundësi perspektivash, që shprehin aftësitë fetare, intelektuale, teknike, shkencore e artistike të Homo europeus. Në këtë kuptim – shkruan Papa – mund të pohojmë se Evropa pati gjithnjë ndikim të fuqishëm kulturor mbi tërësinë e gjinisë njerëzore, e nuk mund të mos e ndjejë përgjegjësinë që ka jo vetëm për ardhmërinë e vet, por edhe për atë të mbarë njerëzimit.

Pikërisht në këtë orë, nganjëherë dramatike – vijon Papa – edhe pse, për fat të keq, shumë evropianë duket sikur nuk duan t’i njohin rrënjët e krishtera të Evropës, ato janë të gjalla e do të duhej t’u tregonin rrugën e t’u ushqenin shpresën miliona qytetarëve, që pranojnë të njëjtat vlera.

Kisha – pohon me forcë Ati i Shenjtë – duhet të hyjë dialog me botën pluralistike në të cilën jeton e besimtarët duhet të jenë gjithnjë gati t’i nxisin nismat e dialogut ndërkulturor e ndërfetar, me qëllim që t’i jepet një shtytje e re bashkëpunimit mbi tema me interes të përbashkët, siç janë dinjiteti i njeriut, kërkimi i së mirës së përbashkët, ndërtimi i paqes, zhvillimi etj. Por që të jetë i vërtetë, një dialog i tillë nuk duhet t’i bëjë asnjë lëshim relativizmit e sinkretizmit, ndërsa duhet të frymëzohet nga respekti i sinqertë për të tjerët e nga fryma fisnike e pajtimit dhe e vëllazërimit. Benedikti XVI u jep zemër të gjithë atyre që punojnë me përkushtim për ndërtimin e një Evrope mikpritëse, solidare e gjithnjë më besnike ndaj rrënjëve të saja dhe i fton besimtarët të japin ndihmesën e tyre jo vetëm për të ruajtur me kujdes të madh trashëgiminë kulturore e shpirtërore, që i dallon e është pjesë përbërëse e historisë së tyre, por edhe të kërkojnë rrugë të reja për të përballuar si duhet sfidat e mëdha të epokës pas-moderne: ndërmjet tyre, mbrojtja e jetës njerëzore në të gjitha fazat dhe e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut e të familjes, ndërtimi i një bote më të drejtë e më solidare, respekti për gjithësinë, dialogu ndërkulturor e ndërfetar.

 
Së fundi na duket e arsyeshme të sqarojmë vetë konceptet relativizëm e sinkretizëm.
Relativizmi është një qëndrim filozofik që mohon ekzistencën e të vërtetave absolute ose e shikon me sy kritik çdo mundësi për të arritur tek një nga këto të vërteta.Ndërsa sinkretizëm mund të konsiderohet çdo prirje për të pajtuar elemente kulturore, filozofike ose fetare, që i përkasin dy ose më shumë kulturave krejt të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.