2008-12-09 13:11:21

Ardhja e Krishtit e mund të keqen e mëkatit të rrjedhshëm.


(03.12.2008 RV)Të dashur vëllezër e motra,

në katekizmin e sotëm do të ndalemi tek lidhjet ndërmjet Adamit e Krishtit, skicuar nga Pali në faqen e njohur të Letrës drejtuar Romakëve (5,12-21), në të cilën i dorëzon Kishës vijat themelore të doktrinës mbi mëkatin e rrjedhshëm. Në të vërtetë, që në Letrën e parë drejtuar Korintianëve, duke prekur temën e fesë lidhur me ringjalljen, Pali pati përdorur krahasimin ndërmjet stërgjyshit të parë e Krishtit: “Sikurse të gjithë vdesin në Adamin, ashtu të gjithë do të fitojnë jetën në Krishtin.... i pari njeri, Adami, u bë qenie e gjallë, i mbrami Adam u kthye në shpirt që jep jetë” (1 Kor 15,22.45). Me Letrën drejtuar Romakëve (5,12-21) krahasimi i Krishtit me Adamin bëhet më i hollësishëm e më i qartë. Pali përshkon udhën e shëlbimit nga Adami, tek Ligji e nga kjo, tek Krishti. Në qendër të skenës nuk është aq Adami, me pasojat e mëkatit mbi njerëzimin, sa Jezu Krishti e hiri që, përmes Tij, u ndikua me begati mbi njerëzimin.
Përsëritja e shprehjes ‘shumë më tepër’, që ka të bëjë me Krishtin, nënvizon se dhurata e marrë prej Tij e kalon shumfish masën e mëkatit të Adamit dhe pasojat që pati mbi njerëzimin, kështu që Pali mund të arrijë në përfundimin: “Por aty ku mëkati e mbushi masën e vet, aty edhe hiri e kaloi ketë masë” (Rom 5,20). Prandaj në vënien ballpërballë të Adamit me Krishtin, Shën Pali nxjerr në pah ultësinë e njeriut të parë në krahasim me lartësinë e të dytit.


Nga ana tjetër, Pali e cek mëkatin e Adamit, pikërisht për të vënë në dukje dhuratën e pamatshme të hirit, në Krishtin: mund të thuhet se po të mos kishte dashur të dëshmonte qendërsinë e hirit, ai nuk do të ishte marrë aq shumë me mëkatin që: “për shkak të një njeriu të vetëm hyri në botë, e nëpërmjet mëkatit, edhe vdekja”. Prandaj në se në fenë e Kishës fitoi pjekurinë vetëdija e dogmës së mëkatit të rrjedhshëm, kjo u arrit sepse ajo lidhet pazgjidhshmërisht me një dogmë tjetër, me atë të shëlbimit e të lirisë në Krishtin. Si pasojë nuk duhet të merremi kurrë me mëkatin e Adamit e të njerëzimit, duke e shkëputur nga konteksti shëlbues, por duhet t’i kuptojmë gjithnjë lidhur ngushtë me shfajsimin e Krishtit.

Por, si njerëz të kohëve tona, duhet të pyesim: ç’është ky mëkat i rrjedhshëm? Ç’na mëson Shën Pali, ç’na mëson Kisha? A ia vlen ta ndjekësh edhe sot këtë doktrinë? Shumkush mendon se, në dritën e historisë së evolucionit, nuk ka më vend për doktrinën e një farë mëkati të parë, që më pas rëndoi mbi gjithë historinë e njerëzmit. E, si pasojë, edhe çështja e Shpërblimit dhe e Shpërblyesit do ta humbiste bazën e saj. Atëherë ekziston mëkati i rrjedhshëm apo nuk ekziston? Që të mund të përgjigjemi, duhet të dallojmë dy aspekte të doktrinës së mëkatit të rrjedhshëm. Kemi një realitet empirik, dmth konkret, të dukshëm, të qartë për të gjithë. Është një aspekt i mistershëm, që ka të bëjë me bazën ontologjike të këtij fakti. E dhëna empirike është kontradikta që ekziston në vetë qenien tonë. Nga njëra anë çdo njeri e di se duhet të bëjë mirë e në zemër të vet edhe dëshiron ta bëjë këtë. Por njëkohësisht, ndjen edhe shtytjen tjetër për të bërë të kundërtën, për të ndjekur udhën e egoizmit, të dhunës, prirjen për të bërë vetëm atë që i pëlqen, duke e ditur mirëfilli se vepron kundër së mirës, kundër Zotit e kundër të afërmit. Shën Pali në Letrën e tij drejtuar Romakëve, e shpreh kështu këtë ligj, që e ka secili në vetvete: “Është, po, në mua, dëshira e së mirës, por jo aftësia për ta çuar në vend; e njëmend, unë nuk e bëj të mirën që dua, por të keqen, të cilën nuk e dua(Rom 7, 18-19). Kjo kundërshti në brendësi të qenies sonë, nuk është teori. Secili nga ne e provon çdo ditë. E sidomos e vërejmë çdo ditë rreth nesh mbizotërimin e këtij vullneti të dytë. Mjafton të mendojmë për lajmet e përditshme, që flasin për padrejtësi, dhunë, mashtrim, flligështi. E shikojmë çdo ditë: është fakt!
 
Si pasojë e pushtetit që ka e keqja mbi shpirtin tonë, në histori nis të rrjedhë një lumë i ndyrë, që e helmatis gjeografinë e historisë njerëzore. Mendimtari i madh francez, Blez Paskal, foli për ‘një natyrë të dytë’, që vihet përmbi natyrën tonë të mirë fillestare. Kjo ‘natyrë e dytë’ bën që e keqja të duket si diçka normale për njeriun. Kështu edhe shprehja, që përdoret rëndom “Kjo është njerëzore”, mund të ketë kuptimin: ky njeri është i mirë, vepron ashtu si duhet të veprojë një njeri i vërtetë. Por ‘kjo është njerëzore’ mund të ketë edhe kuptimin e rremë: kuptimin sipas të cilit e keqja është normale, është njerëzore. E keqja duket sikur është bërë natyrë e dytë. Kjo kundërshti e qenies njerëzore, e historisë sonë, duhet të ngjallë e ngjall edhe sot, dëshirën për t’u çliruar nga e keqja. E njëmend, dëshira që bota të ndryshojë e premtimi se do të ndërtohet një botë me drejtësi, paqe, mirësi, janë të pranishme kudo: në politikë, për shembull, të gjithë s’pushojnë së përsërituri se duhet ndryshuar bota, se duhet krijuar një botë më e drejtë. E pikërisht kjo është shprehje e dëshirës për t’u çliruar nga ndeshja e dy forcave të kundërta, që ndeshen në shpirtin tonë.

Mund të themi, pra, se prania e pushtetit të së keqes në zemrën e njeriut e në histori është e pamohueshme. Çështja është: si shpjegohet kjo e keqe? Në historinë e mendimit, duke lënë mënjanë fenë e krishterë, ekziston një model fillestar shpjegimi, me disa ndryshime. Ky model thotë: vetë qenia njerëzore është kontradiktore, mbart në vetvete si të mirën, ashtu edhe të keqen. Në lashtësi kjo ide përmbante opinionin se ekzitonin dy fillime, të dy që në zanafillë; dy fillimet janë në të njëjtin nivel, prandaj kjo kundërshti është e gjithëpranishme, që nga zanafilla e njeriut. Prej këndej kontradika në qenien tonë s’është tjetër, veçse kundërvënie e këtyre dy fillimeve, që po i quajmë hyjnore. Në variantin evolucionistik, ateist, i njëjti vizion i botës përsëritet në mënyrë të re. Edhe pse, në këtë konceptim, vizioni i qenies është monistik, hamendësohet se qenia, si e tillë, që në zanafillë mbart në vetvete të keqen e të mirën. Vetë njeriu nuk është thjeshtë i mirë, por mund të bëjë si të keqen, ashtu edhe të mirën. E keqja është një lloj element i zanafillës, ashtu si e mira. E, sipas këtij varianti, historia njerëzore zhvillon vetëm modelin, që ishte i pranishëm në të gjithë evolucionin e mëparshëm. Ajo që të krishterët e quajnë mëkati i rrjedhshëm, s’është tjetër veçse karakteri i përzjerë i qenies njerëzore, një përzjerje e së mirës me të keqen që, sipas kësaj teorie, i përket vetë brumit të njeriut. Kemi të bëjmë me një vizion të pa shpresë: po të jetë kështu, atëherë e keqja është e pathyeshme. Në fund llogaritet vetëm interesi vetjak. E çdo progres do të paguhet medoemos me një lumë të së keqes e edhe kush dëshiron t’i shërbejë progresit, do të ishte i detyruar ta paguante këtë haraç. Politika, në fund të fundit, ngrihet pikërisht mbi themelet e këtyre parakushteve; e pasojat po i shohim të gjithë. Ky mendim modern, në fund, s’mund të krijojë tjetër, veçse trishtim e cinizëm.


E kështu pyesim përsëri: ç’thotë feja, e dëshmuar nga Shën Pali? Si pikë e parë, ajo vërteton faktin e ndeshjes ndërmjet dy natyrave, faktin e kësaj së keqeje, hija e së cilës shtrihet mbi gjithë krijimin. Dëgjuam Kapitullin e 7-të të Letrës drejtuar Romakëve, e mund t’i shtojmë edhe Kapitullin e 8-të. E keqja ekziston, vetëm kaq. Si shpjegim, në kundërshtim me dualizmat e monizmat, të cilat i shqyrtuam shkurtmisht, e që na u duken të trishta, feja na thotë: ekzistojnë dy mistere të dritës e një mister i natës, i cili mbështillet me misteret e dritës. Misteri i parë i dritës është ky: feja na thotë se nuk kemi dy fillime, një të mirë e një të keq, por kemi një fillim të vetëm, Hyjin krijues, e ky fillim është i mirë, vetëm i mirë, pa asnjë hije të së keqes. Prej këndej mund të themi se njeriu nuk është përzjerje e së mirës dhe e së keqes, njeriu, si i tillë, është i mirë, e prandaj është mirë të jesh, është mirë të jetosh. Ky është kumti i fesë: është vetëm një burim i mirë, Krijuesi, e prandaj të jesh është gjë e mirë, është gjë e mirë të jesh burrë, të jesh grua, jeta është e mirë. Pastaj pason një mister errësire, nate. E keqja nuk vjen nga vetë njeriu, nuk vjen nga burimi. E keqja vjen nga liria e krijuar, nga liria e shpërdoruar.

Si u bë e mundur, si ndodhi? Kjo mbetet e errët. E keqja nuk është logjike. Vetëm Zoti dhe e mira janë logjike, janë dritë. E keqja mbetet misterioze. Është paraqitur përmes figurave të mëdha, si e shikojmë në Kapitullin 3 të Librit të Zanafillës, me vegimin e dy pemëve, të gjarpërit e të njeriut mëkatar. Figurë e madhe, që na bën ta marrim me mend atë që ndodhi, por pa e shpjeguar, sepse nuk mund të shpjegohet ajo, që është e palogjikshme. Mund të hamendsojmë, por jo të shpjegojmë; e nuk mundemi as ta tregojmë si një fakt pranë një fakti tjetër, sepse kemi të bëjmë me një realitet shumë më të thellë. Mbetet mister i errësirës, i natës. Por menjëherë pas vjen misteri i dritës. E keqja vjen nga një burim i nënshtruar. Zoti, me dritën e vet, është më i fortë. Prandaj, mbi të keqen mund të fitohet. E prandaj edhe krijesa, njeriu, mund të shërohet. Vizionet dualiste, e edhe monizmi i evolucionizmit, nuk mund të thonë se njeriu është i shërueshëm; por në se e keqja vjen vetëm nga një burim i nënshtruar, atëherë është e vërtetë edhe se njeriu mund të shërohet. E Libri i Dijes thotë: “E njëmend, ai e krijoi gjithçka që të jetojë; krijesat e botës janë jetëdhënëse, në to s’ka helm vdekjeje, as mbretëria e ferrit s’ka pushtet mbi to (1,14). E, së mbrami, pika e fundme, njeriu jo vetëm që është i shërueshëm, por është shëruar vërtetë.

Zoti solli shërimin. Hyri vetë në histori. Burimit të përhershëm të së keqes i kundërvuri burimin e pastër të së mirës. Krishti i kryqëzuar e i ngjallur, Adami i ri, i kundërvë lumit të ndyrë të së keqes, një lumë drite. E ky lumë është i pranishëm në histori: shikojmë shenjtorët, shenjtorët e mëdhenj, por edhe shenjtorët e përvujtë, besimtarët e thjeshtë. Shohim se lumi i dritës, që vjen nga Krishti, është i pranishëm, është i fortë.
Vëllezër e motra, është Koha e Ardhjes. Në gjuhën e Kishës fjala ‘Ardhje’ ka dy kuptime: prani e pritje. Prani: drita është e pranishme, Krishti është Adami i ri, është me ne e mes nesh. Drita tashmë ndriçon e duhet t’i hapim mirë sytë për ta parë e për të hyrë në lumin e dritës. Duhet, sidomos, t’i jemi mirënjohës Zotit, që hyri vetë në histori, si burim i ri drite. Por Ardhje ka edhe kuptimin e pritjes. Nata e errët e së keqes është ende e fortë. E prandaj në Kohën e Ardhjes lutemi së bashku me popullin e lashtë të Zotit: “Rorate cæli desuper” - “Riniu, o qiej, prej empirit, e retë të rigojnë të drejtin”. E lutemi papushim: “Eja, Jezus; eja, jepi forcë dritës e mirësisë; eja atje, ku sundon gënjeshtra, mosnjohja e Zotit, dhuna, padrejtësia; eja, o Zot Jezus, jepi forcë së mirës në botë e ndihmona të jemi mbartës të dritës sate, veprimtarë të paqes sate, dëshmitarë të së vërtetës sate. Eja, Zot Jezus!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.