Sot pasdite Papa ishte në Sheshin romak të Spanjës për të nderuar Zojën e Papërlyer
e për t’ia besuar gëzimet dhe shqetësimet e mbarë njerëzimit
(08.12.2008 RV)Sot, 8 dhjetor,
Solemniteti i të Zënit të Pafaj të Virgjërës Mari, në mesditë Papa kremtoi lutjen
e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit. Pasdite, në orën 16. 00, sipas traditës,
Benedikti XVI shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur një
shportë me lule të bardha e për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës, ngritur
që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e së Papërlyerës,
shpallur nga Piu IX më 1854. Ndërsa kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit
të Vatikanit, kryesoi në bazilikën papnore të Shën Marisë së Madhe, Meshën për përfundimin
e kremtimeve, organizuar me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës së Papërlyer
në Lurdë. Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës, ku Papa Gjon Pali
II pati përuruar më 1995 misionin qytetar në përgatitje të Jubileut të Madh të 2000-shit,
filloi që herët në mëngjes. Në orën 7. 30 zjarrfikësit vendosën në krah të Virgjërës
Mari kurorën e parë me lulet e bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit
e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi
shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar. Vizitën
e parë te këmbët e kësaj shtatoreje e bëri Papa Piu XII më 1957. Ndërsa sot, te
këmbët e Shtatores së Zojës të zënë pa mëkat, u gjunjëzua për herë të katërt Benedikti
XVI. Është një gjest feje e devocioni, të cilin bashkësia e krishterë romake e përsërit
nga viti në vit, gati si të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj që na siguron ndihmën
dhe mbrojtjen amtare në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme. Papa kujtoi,
së pari, shtegtimin e tij në Lurdë, me rastin e 150-vjetorit të dukjes historike të
Virgjërës Mari Shën Bernardetës. Kremtimet e këtij përvjetori kaq domethënës përfunduan
pikërisht sot, në solemnitetin e Zënies pa mëkat të Zojës së Bekuar, sepse ‘Zonja
e bukur’, siç e quajti Bernardeta – pasi iu duk për herë të fundit në Shpellën e
Masabielës, i tregoi edhe emrin e saj, duke i thënë: “Unë jam e Papërlyera’. Ia tha
këtë në dialektin vendas, e vegimtarja e vogël ia përsëriti famullitarit këtë shprehje,
që për të ishte krejtësisht e panjohur dhe e pakuptueshme. “E Zëna pa Mëkat”;
“E Papërlyera” – edhe ne e përsërisim me emocion këtë emër misterioz – tha Papa
- e përsërisim tek këmbët e këtij monumenti në zemër të Romës, e të njëjtën gjë bëjnë
edhe mijëra besimtarë në të katër anët e botës, në shenjtërore e kapela, në kasolle
e shtëpi të krishtera. Kudo jeton një bashkësi katolike, sot nderohet Zoja me këtë
emër të mahnitshëm e të mrekullueshëm: “E Zëna pa Mëkat, Zoja e Papërlyer!”. Ashtu
si fëmija që ngre sytë tek fytyra e së ëmës e, duke e parë buzagaz, harron çdo frikë
e çdo dhimbje, kështu edhe ne – theksoi Ati i Shenjtë – duke i sjellur sytë nga Maria,
shikojmë në fytyrën e saj ‘buzëqeshjen e Zotit”, pasqyrimin e panjollë të dritës
hyjnore, gjejmë në të shpresa të reja për t’i përballuar problemet e dramat e botës. Është
traditë – kujtoi Bendikti XVI – që Papa të bashkohet me Qytetin e Amshuar për
t’i sjellë Marisë një shportë me trëndafilë, simbol dashurie e devocioni. Simbolikisht
trëndafilat mund të shprehin gjithçka të mirë e të bukur që realizuam gjatë vitit,
sepse në këtë takim, tashmë tradicional, të gjithë duam t’i dhurojmë diçka të mirë
Nënës, të bindur se pa mbrojtjen dhe hiret që na nxjerr çdo ditë nga Zoti, nuk mund
të bëjmë asgjë. Por - thotë populli – nuk ka trëndafil pa gjemba, e edhe ndërmjet
këtyre trëndafilave të bardhë nuk mungojnë ferrat. Janë simbol i vështirësive tona,
i vuajtjeve, i të këqijave, që nuk mungojnë në jetën tonë e të bashkësive tona. Nënës
ia besojmë gëzimet, por edhe shqetësimet, të sigurtë se në Të do të gjejmë ngushëllim
e ndihmë për të ecur përpara. Më pas Papa ia besoj Zojës së Papërlyer fëmijët
e të rinjtë e qytetit e, duke kujtuar se Zoja nuk i përket vetëm Romës, por mbarë
botës, iu lut në emër të të gjithëve: “O Nënë e Papërlyer, që je për të
gjithë shenjë e sigurtë shprese e ngushëllimi, na e nxirr nga Zoti hirin të joshemi
nga bardhësia jote e panjollë. Bukuria jote – Tota Pulchra, këndojmë sot, na
siguron se dashuria mund të fitojë, madje se do të fitojë pa tjetër; na siguron
se hiri është më i fortë se mëkati e se mund të çlirohemi nga çdo lloj skllavërie.
Po, o Mari, ti na ndihmon të besojmë në të mirën, në shërbimin pa kurrfarë interesi,
në mohimin e dhunës, në forcën e së vërtetës; na jep zemër të rrimë zgjuar, të mos
i besojmë tundimeve dredharake, të mos kërkojmë rrugë të shkurtëra, të përballojmë
realitetin, me të gjitha problemet e tij, me guxim e përgjegjësi. Kështu bëre edhe
ti, grua e re, e thirrur të rrezikoje gjithçka, për t’iu përgjigjur fjalës së Zotit.
Ji Nënë e dashur për të rinjtë tanë; ndihmoi të marrin guximin për të qenë ‘rojet
e agimit’ e jepja këtë virtyt gjithë të krishterëve, që të jenë shpirt i botës në
këtë stinë jo të lehtë të historisë. Virgjër e Papërlyer, Nënë e Zotit e Nëna jonë,
Salus Populi Romani (Shpëtimi i popujve romakë) lutu për ne!”.
Pas
vizitës tek Shtatorja e së Papërlyerës, Benedikti XVI u rikthye në Vatikan.