2008-12-08 18:28:01

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: në Zojën e Papërlyer kundrojmë pasqyrimin e Bukurisë, që shpëton botën.


(08.12.2008 RV)RealAudioMP3 Fitorja e Krishtit mbi mëkatin e rrjedhshëm shkëlqen me dritën më të kulluar tek Virgjëra Mari: e ky është, thënë ma pak fjalë, edhe reflektimi i Benediktit XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të Zojës së Papërlyer. Mijëra besimtarëve, që kishin mbushur plot Sheshin e Shën Pjetrit, nën rrezet e një dielli gati pranveror, Papa u kujtoi se në Marinë ‘Hirëplote’ kundrojmë pasqyrimin e bukurisë së Hyjit, që shkëlqen në fytyrën e Krishtit. Më pas përshëndeti shtegtarët e mbledhur në Lurdë për përfundimin e kremtimeve të Dukjeve mariane dhe u kujtoi besimtarëve takimin e pasdites në Sheshin e Spanjës.
Misteri i Zojës së Papërlyer – pohoi Papa – na kujton dy të vërteta themelore të fesë sonë: mëkatin e rrjedhshëm e fitoren e hirit të Krishtit mbi të, fitore që shkëlqen madhërisht në Marinë:

“Ekzistenca e atij që Kisha e quan ‘mëkati i rrjedhshëm’, për fat të keq duket sheshit e në mënyrë të pamohueshme, me një shikim të vetëm rreth nesh e, para së gjithash, brënda nesh. Përvoja e së keqes është kaq ngulmuese, sa të imponohet vetvetiu e të ngjallë në ne pyetjen: nga vjen?”.

 
Posaçërisht për besimtarin – shtoi Benedikti XVI – pyetja bëhet edhe më e thellë: në se Hyji, që është mirësi absolute, krijoi gjithçka, atëherë nga vjen e keqja?. Faqet e para të Biblës – nënvizoi Ati i Shenjtë – i përgjigjen pikërisht kësaj pyetjeje themelore, me tregimin mbi krijimin e mbi rënien në mëkat të prindërve të parë:

“Zoti e krijoi gjithçka, që të kishte jetë, posaçërisht krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së vet; nuk e krijoi vdekjen, por kjo hyri në botë për shkak të zilisë së djallit (cfr Ur 1,13-14; 2,23-24) i cili, si ngriti krye kundër Zotit, i mashtroi edhe njerëzit, duke i bindur dhe ata të ngrenë krye. Është drama e lirisë, që Zoti e pranon deri në fund të fundit për dashuri, duke premtuar edhe se do të jetë biri i një gruaje ai, që do t’ia shtypë kokën gjarpërit të lashtë”.

 
Kjo grua që në zanafillë u paracaktua të bëhej Nëna e Shëlbuesit, Nënë e Atij që u përul në kulm, për të na e rikthyer dinjitetin e humbur. Para syve të Zotit – tha Papa – kjo Grua pati përherë një fytyrë e një emër: Hirëplote. Ajo është streha e përbashkët e gjithë të krishterëve, njeriu i parë, që u çlirua nga rënia e prindërve tanë të parë.

“Të shumdashur, në Marinë e Papërlyer ne kundrojmë pasqyrimin e bukurisë që shpëton botën: bukurinë e Hyjit, që shkëlqen në fytyrën e Krishtit. Në Marinë kjo bukuri është krejt e pastërt, e çliruar nga çdo mburrje e mendjemadhësi. Kështu iu duk Virgjëra Shën Bernardetës, 150 vjet më parë, në Lurdë, e kështu nderohet në shumë shenjtërore”

 
– tha Papa e, në përfundim, përshëndeti besimtarët, mbledhur në Lurdë për mbylljen e Vitit jubilar të Dukjeve të Marisë, e në Ars të Francës, për hapjen e Vititi jubilar kushtuar Shën Gjon Maria Vianejt.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.