365 ditë: "Tomas Merton, të fton në heshtjen ku banon Zoti".
(08.12.2008 RV)Sonte ra dëbora e parë. Heshtja është dhe më e thellë se zakonisht...
Ndonëse ky manastir i humbur në Kentaki, një shtet në skajet e SHBA, është gjithnjë
i zhytur në heshtim. Por këtë mëngjes të duket sikur natyra e ka humbur çdo tingull. Murgu
Tomas Merton drejtohet nga studioja e tij, e mbuluar edhe ajo me një shtresë të dendur,
të bardhë.. kartash, letrash, zarfash. Tomas Merton qesh: duhet të punojë rëndë, për
ta shkrirë gjithë këtë dëborë! E sot, kur të arrijë posta, do të marrë përsëri dhjetra
letra. E të mendosh, pastaj, se ka edhe nga ata, të cilët mendojnë se murgjërit nuk
dinë ç’bëhet në këtë botë, sepse jetojnë jashtë saj. Ndërsa Tomas Mertoni, që
kur hyri në kuvend, e ndjen veten edhe më afër botës. Para se të hynte në këtë vend,
kaloi një jetë të çkujdesur, udhëtoi shumë, takoi shumë njerëz, jetoi në qytete e
mëdha evropiane e amerikane. E pra i duket se vetëm tani po jeton me të vërtetë në
gjjrin e botës së madhe. Për ta shpjeguar këtë ndjesi mahnitëse, ka shkruar një libër,
titulluar ‘Mali me shtatë krepa”, botuar në nëntor të vitit 1948, në të cilin
flet për përvojën e tij si trapist (trapistët janë murgjërit e Urdhërit, i cili bazohet
kryesisht mbi heshtjen e lutjen). Por murgu nuk jeton në kuvendin e vet, si të ishte
në vetminë e shkretëtirës: i ka në zemër të gjithë njerëzit, lutet për ta, jeton shpirtërisht
me gëzimet e vuajtjet e tyre, ia flijon veten Zotit për lumturinë e tyre. Pikërisht
këtë shpjegon Tomasi në ‘Malin me shtatë krepa”. Ta kalosh jetën tënde në lutje
është një mënyrë e mrekullueshme për ta dashur botën. Vepra e Tomas Mertonit pati
një sukses të jashtëzakonshëm. Autori merr letra nga të katër anët e SHBA: lexuesit
duan të dinë më shumë, i kërkojnë këshilla… E kjo dëshmon se ‘mjeshtria’ e murgut
nuk është pa interes para syve të botës. Provë tjetër është edhe numri i njerëzve,
që tërhiqen nga kjo jetë e cila i kushtohet krejtësisht lutjes e heshtjes. Që prej
njëzet vjetësh, në këto anë, manastiret amerikane janë pothuajse të zbrazura. Tani,
falë murgjërve, si Tomas Mertoni, që kanë arritur ta kapin thellësisht kuptimin e
jetës murgare, kuvendet popullohen rishtas e i dhurojnë njerëzve mundësinë të jetojnë
në lutje të thellë, në zemër të heshtjes, ku banon Zoti. “I dashur vëlla, të falënderoj
për lutjet, që i drejton Zotit për ne, banorët e qyteteve. Kemi vërtetë nevojë për
ju. Por desha t’ju bëj një pyetje....”.Tomasi qesh. Jo, nuk e ndjen fare veten jashtë
botës.