2008-12-06 17:28:48

Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Kohës së Ardhjes.


(07.12.2008 RV)RealAudioMP3 Kësaj kohe Papa i kushtoi një lutje prekëse në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke i ftuar përsëri besimtarët të përgatiten për Ardhjen, misteri më i lartë i dashurisë së Zotit, që i solli njerëzimit shërimin. Zoti hyri vetë në histori. Burimit të përhershëm të së keqes, i kundërvuri burimin e pastër të së mirës. E kjo vetëdije bëri që nga zemra e Benediktit XVI të shpërthente vetvetiu lutja:
Eja, Jezus; eja, jepi forcë dritës e mirësisë; eja atje, ku sundon gënjeshtra, mosnjohja e Zotit, dhuna, padrejtësia; eja, o Zot Jezus, jepi forcë së mirës në botë e ndihmona të jemi mbartës të dritës sate, veprimtarë të paqes sate, dëshmitarë të së vërtetës sate. Eja, Zot Jezus!”.
 
E Kohës së Ardhjes iu kushtua edhe predikimi i parë i Atë Raniero Kantalamesës, mbajtur të premten e kaluar në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit në Vatikan, në praninë e Papës e të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Predikatari i Shtëpisë Papnore foli kryesisht për shndërrimin e Shën Palit, duke kujtuar takimin e Palit me Krishtin, takim që ia ndryshoi krejtësisht rrugën e jetës. E duke e lidhur predikimin me Kohën e Ardhjes, predikatari theksoi:

“Çdo propozim fetar nis duke u treguar njerëzve ç’duhet të bëjnë për t’u shëlbuar ose për t’u ndriçuar. Krishterimi nuk fillon duke u mësuar njerëzve ç’duhet të bëjnë, por duke u treguar ç’ bëri Zoti për ta në Krishtin Jezus".

 
E më pas nënvizoi se për të bërë një jetë vërtetë shpirtërore, nuk është e nevojshme të kryhen vepra të mëdha: përkundrazi, duhen bërë gjëra krejt të thjeshta. Duhet të përgatitemi për Mbretërinë e Hyjit si fëmijët, ashtu siç na porosit vetë Jezusi:
 “Pse Jezusi e mori si model fëmijën? Sepse fëmija kërkon gjëra, por nuk pretendon se i meriton, mbasi ka sjellë në shtëpi rrogën. E di se pasuria e tij janë prindërit, që e duan, e kjo i mjafton. Pikërisht këtë vetëdije na kujton Krishti Fëmijë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.