(07.12.2008 RV)I jashtzakonshëm fati i Ambrozit, i cili u emërua ipeshkëv para
se të pagëzohej. I lindur në vitin 339 në Treviri, qytet i Galisë, Ambrozi ndoqi
familjen e tij në Romë, ku kreu studimet në retorikë e gojtari. Si u bë avokat e më
pas prokuror, rreth vitit 370 u emërua qeveritar i Liguries dhe Emilies në Itali.
Më pas u transferua përfundimisht në Milano. Këtu, ndërsa merrte pjesë në zgjedhjen
e ipeshkvit të ri të qytetit, duke u përpjekur të zgjidhë mosmarrëveshjet që kishin
lindur në bashkësinë e krishterë ndërmjet arianëve e katolikëve, mbajti një fjalim
aq të fuqishëm e aq të përshpirtshëm, sa u vendos menjëherë të zgjidhej ai vetë ipeshkëv.
Në fillim nuk pranoi, por më pas, nën udhëheqjen shpirtërore të meshtarit Simpliçiani,
u përgatit për pagëzim. Në të vërtetë kishte vendosur prej kohe të bëhej i krishterë,
sepse tek krishterimi kishte gjetur të vërtetën dhe qëllimin e vetë jetës së tij.
Ia dhuroi të gjitha pasuritë Kishës dhe bëri kushtin e virgjërisë. Me shembullin e
shkëlqyer të jetës e me fjalën e tij të frymëzuar, ktheu në fenë e krishterë shumë
njerëz, ndërmjet të cilëve, edhe Shën Augustinin. Ai që thoshte: “Ku është Pjetri,
atje është Kisha”, vdiq më 4 prill të vitit 397 e u varros në bazilikën që mban emrin
e tij, në Milano, qytet i cili e zgjodhi Pajtor, së bashku me Shën Karl Borromeun.
Konsiderohet si atë i liturgjisë ambroziane, që përdoret nga Kisha e Milanos. Me
jetën dhe veprat e shumta liturgjike, komentarët mbi Shkrimin Shenjt e shkrimet me
karakter asketiko-moral, ai mbetet simbol i lirisë e i pajtimit. E me 24 tetor
2007, duke u ndaluar tek figura e ipeshkvit të Milanos, Ambrozit, Papa u drejtoi një
porosi atërore prelatëve të mbarë botës, duke i nxitur të mos e shikojnë kurrë katekizmin
shkëputur nga dëshmia e jetës: “Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të
rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia
kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar
tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi
zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund
të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë
të besueshme e të frytshme”.