2008-12-06 17:29:14

Papa ngushëllon për vdekjen e Patrikut të Moskës Aleksejt II.


(07.12.2008 RV)Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Aleksej II, vdiq të premten e kaluar, më 5 dhjetor. Menjëherë pasi e mori këtë lajm të hidhur, Benedikti XVI i dërgoi një mesazh ngushëllimi Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Ruse. Mesazhi u botua në faqen e parë të gazetës ‘L’Osservatore Romano’ të së shtunës, 6 dhjetor.
Ndërmjet tjerash, Papa shkruan: “I lutem Zotit ta pranojë në mbretërinë e tij të paqes e të gëzimit të amshuar këtë shërbëtor të Tij të palodhur e t’i ngushëllojë të gjithë ata, që janë në zi për humbjen e tij. Mirënjohës për impenjimin e përbashkët në rrugën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit reciprok ndërmjet ortodoksëve e katolikëve, nuk mund të mos kujtoj përpjekjet e Patrikut të ndjerë për rilindjen e Kishës, pas persekutimit të egër ideologjik, që shkaktoi martirizimin e shumë dëshmitarëve të fesë së krishterë. Kujtoj edhe betejën e mirë për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe ungjillore, së cilës Ai i priu sidomos në Kontinentin evropian, duke uruar që impenjimi i tij të japë fryte paqeje e progresi të vërtetë njerëzor, shoqëror e shpirtëror. Në orën e vështirë të ndarjes, ndërsa trupi i tij i besohet tokës, në pritje të ringjalljes, kujtimi i këtij Shërbëtori të Ungjillit të Krishtit i ngushëlloftë ata që janë në zi e u dhashtë zemër atyre që do të vijojnë rrugën e tij në udhëheqjen e Kishës së nderuar Ortodokse Ruse”. Patriku Aleksej II do të varroset të martën e ardhshme në katedralen e Dëftimit, në Moskë. Trupi i të ndjerit u vendos që dje për homazhe, në katedralen e Krishtit Shëlbues.







All the contents on this site are copyrighted ©.