2008-12-06 14:56:55

Me 6 dhjetor, kalendari kishtar kremton Shën Nikollin


(06.12.2008 RV)Fama e Shenjtit është universale: dokumentohet nga Kishat e veprat e artit, institucionet e traditat e lidhura me emrin e tij. E, megjithatë, të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pàtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie. Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha. Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit. Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kriptën e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në lter. Në fund të shekullit XX bazilika, që Papa Piu XII ia besoi dominikanëve, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Përendimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.
Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron Mirën nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërisht natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij. E, gjithnjë sipas traditës, natën e festës, piqet edhe “ferliku i Shën Kollit”, ose flijohet një gjel. Shumë ndër shqiptarët katolikë e ortodoksë mbajnë emrin Nikollë emër që ka marrë një mori trajtash si: Lec, Kolec, Kolë, Nikolin, Koli, Kolin e Lin. Edhe ndër trojet shqiptare Shenjtit të mrekullive i janë kushtuar disa Kisha. Po kujtojmë vetëm Kishën e Shën Nëkollit në lagjen Rus të Shkodrës, shkatërruar nga komunistët e rindërtuar përsëri – një mrekulli e re kjo e Shenjtit; një Kishë tjetër e njohur kushtuar Shenjtit ngrihet në Velezhë të Kosovës, që e ka edhe pajtor.
Shën Kolli njihet menjëherë në ikonografi, sepse mban në dorë shkopin baritor dhe tri kuleta – siç quhen në këngën shqiptare kushtuar Shenjtit, të trija plot me monedha ari, që do të shërbenin për pajën e tri vajzave të varfra.
Shenjti është pajtor i fëmijëve, i djemëve e vajzave të reja, i nxënësve, i farmacistëve, i detarëve, i peshkatarëve, i profumierëve. Emri Nikolla vjen nga greqishtja e do të thotë fitimtar i popullit.

Kanga e Shën Nëkollit.
Sa punë të mëdhaja e mrekulli
Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,
Difton qiella me lumni
E gjithë bota s’pranë tue folë.
Lundërtari tue vozitë
e skamnori që lypë bukë,
kangë e lavde s’rrinë pa qitë;
Si shtegtari që ban rrugë.
Si i pasë, si ai që s’ka,
N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,
Fill te i lumi pa ia dá
N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.
Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,
Kje si hylli që shkelxen,
Kje si drita tanë mirsí
Gjindja u mbushen me gazmend.
Ai kje i pastër si bilur,
I dha trupit të madh shtërngim
E n’e prende e n’e merkurr
gji nuk merr, ban agjinim.
Tue u rritë me shumë urtí,
Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;
E nji të madhe mrekullí
Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.
Kur prej shkollës po kthente n’ shpí
Hasë nji grue që ish’ tue dekë
E ky djalë plot me dashtëní
tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.
Adeodati, djalë dishiri,
Kje grabitë e çue në mergim
E i Shën Nëkolli prej Misiri
Për ajrí e çon në lirim.
Tri kuleta janë dërgue
Ndër tri vajza mbetun shkret,
Prej dritorjet shkon me i çue,
E ato me nderë i qet.
Tre fmí të mbytun prej mizorit,
Shtî n’ nji sheke copë e grimë,
I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit
I Shën Nëkolli me ‘i bekim.
Fushë e male, tokë e dét,
Uj e zjarm e diell e hanë,
Sa fuqí mbi dekë e jetë
Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.
Dridhet ferri prej idhnimit,
Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,
Hikë shejtani pre tmerimit
Kur i k’shteni ndihmë kërkon.
Por nji të madhe porosí
O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë
Na fal t’ gjithve si dhantí
Ndore tande t’ jemë përherë.
E n’at ditë që të jetë shenjue
Prej kso jete na me u hjekë,
Ndore tande kjoshim lshue
Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.
O i Shën Nëkollë plot me dashtní,
Shpirtënt tonë ti na i kujtò,
Prap po të bâjmë ket porosi:
ti n’at’ jetë të gjith na pshtò!
Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’
(Botue nën kujdesin e Ipeshkvisë së Pultit, Pult 1995)

 
Aventura e pabesueshme për rrëmbimin e relikeve të Shën Nikollës
“Ahahaha, ia dolëm mbanesh edhe këtë herë!”. Pali e Mario janë tepër krenarë për marifetin, që po i shpëton nga kontrollet. Sa herë që myslimanët e ndalojnë anijen e tyre, ata u tregojnë thasët e grurit, stivuar një mbi një në hambar, e u thonë: “Jemi tregtarë nga Bari e po shkojmë ta shesim grurin në Antioki”. Myslimanët i lejojnë menjëherë të kalojnë e kështu anija riniset në drejtin të…. Mirës. Në të vërtetë Pali e Mario nuk janë tregtarë. Vijnë nga Bari, por nuk shkojnë në Antioki. E kapërcejnë detin për të marrë trupin e Shën Nikollit, vdekur gjashtëqind vjet më parë në Mirë, qytet i Turqisë, që ka rënë në duart e myslimanëve. Shën Nikolli i madh është ipeshkvi më popullor i krishterimit perëndimor. Me një histori jete plot aventura, Shenjti mban rekordin për mrekulli. Pali, Mario dhe një grup detarësh barezë e kanë nisur këtë ekspeditë pikërisht për të rrëmbyer trupin e Shën Nikollit.
“Sigurisht që varri i Shën Nikollit është më mirë të jetë në Bari, sesa në Mirë” – I thonë njëri-tjetrit. Në fund të fundit nuk duhet harrruar se, sipas traditës, Ipeshkvi i madh, duke kaluar nëpër Bari, pati parafolur se një ditë trupi i tij do të pushonte pikërisht në këtë qytet. Një arsye më tepër për ta marrë e për ta varrosur atje ku parafoli ai vetë. Palin e Marion i tremb vetëm një gjë: kanë frikë nga venecianët, që mund të arrijnë të parët në Mirë e ta marrin trupin e Shenjtit, për ta varrosur në qytetin e tyre. E s’është frikë e kotë. E dinë se edhe një grup venecianësh ka të njëjtin qëllim. Kush do të arrijë i pari? Anija e detarëve të Barit çan ujërat me të gjitha velat e shpalosura. Sapo zbarkojnë në Mirë, ‘rrëmbyesit’ e kryejnë shpejt e shpejt punën, për të cilën janë nisur. Rojtarët e varrit nuk kanë kohë të bëjnë as ‘ah’, as ‘uh’. Ndonëse nxitojnë sa më s’ka, detarët kujdesen tepër të mos e cënojnë trupin e Shenjtit, nga i cili del një vaj erëmirë, që shëron shumë sëmundje. Duhet prandaj, të jenë tepër të vëmendshëm. Ditën kur rikthehen në Bari, në maj të vitit 1087, pak javë pas nisjes, Pali e Mario priten si ngadhnjimtarë nga popullata bareze. Trupi i Shenjtit vendoset menjëherë në një nga kishat më të bukura të qytetit. E pak ditë më pas, vetë Papa vjen për ta bekuar varrin. Që nga ky çast, Bari bëhet cak shtegtimesh me rëndësi të dorës së parë për mbarë Evropën. Kështu pra, falë guximit të detarëve të tij, qyteti i vogël italian fiton famë ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.