Kuptimi i dyfishtë të shprehjes ‘Kjo është njerëzore’.
(07.12.2008 RV)Në audiencën e përgjithshme
të së mërkurës së kaluar, ndërmjet tjerash, Benedikti XVI shpjegoi edhe kuptimin e
dyfishtë të shprehjes ‘kjo është njerëzore’, e cila përdoret aq shpesh në kohën tonë
më shumë për të përligjur veset, se për të miratuar virtytet. Ja edhe shpjegimi i
Papës:
“Si pasojë e pushtetit që ka e keqja mbi shpirtin tonë, në histori
nis të rrjedhë një lumë i ndyrë, që e helmatis gjeografinë e historisë njerëzore.
Mendimtari i madh francez Blez Paskal foli për ‘një natyrë të dytë’, që vihet mbi
natyrën tonë të mirë fillestare. Kjo ‘natyrë e dytë’ bën që e keqja të duket si
diçka normale për njeriun. Kështu edhe shprehja, që përdoret rëndom “Kjo është njerëzore”,
mund të ketë kuptimin: ky njeri është i mirë, vepron ashtu si duhet të veprojë një
njeri i vërtetë. Por ‘kjo është njerëzore’ mund të ketë edhe kuptimin e rremë, sipas
të cilit e keqja mund të shikohet si diçka normale, sepse qenka njerëzore. Kështu
e keqja duket sikur është bërë natyrë e dytë. Kjo kundërshti e qenies njerëzore, e
historisë sonë, duhet të ngjallë e ngjall edhe sot, dëshirën për t’u çliruar nga mëkati.
E njëmend, dëshira që bota të ndryshojë e premtimi se do të ndërtohet një botë në
të cilën do të mbretërojë drejtësia, paqja, mirësia, janë të pranishme kudo: në politikë,
për shembull, të gjithë s’pushojnë së përsërituri se duhet ndryshuar bota, se duhet
krijuar një botë më e drejtë. E pikërisht kjo është shprehje e dëshirës për t’u çliruar
nga kundërshtia që provojmë në shpirtin tonë. Mund të themi, pra, se fakti
i pushtetit të së keqes në zemrën e njeriut e në histori është i pamohueshëm. Çështja
është: si shpjegohet kjo e keqe? “Lumit të së keqes” që hyri në histori
me mëkatin e rrjedhshëm të Adamit të parë, Hyji i kundërvuri ‘lumin e pastër të së
mirës’, me ardhjen e Birit të tij, ‘Adamit të ri’. E në këtë këndvështrim duhet kuptuar
edhe sot mëkati i rrjedhshëm, shenjë e lirisë njerëzore për të zgjedhur dhunën ose
dashurinë. Kjo është njerëzore!