2008-12-06 17:31:43

365 ditë: "Takashi Nagai na kujton se shpresa e krishterë është më e fortë se bomba atomike".


(07.12.2008 RV)RealAudioMP3 Më 9 gusht 1945 një nuse e re japoneze punonte në shtëpinë e saj. Përgatiste drekën për Nagain, të shoqin, mjek në një nga spitalet e zonës. Si gjashtë milionë japonezë, edhe Nagai e Midori janë katolikë. Nagai e njohu Zotin përmes miqësië me familjen e Midorit, që e strehoi gjatë studimeve. U dashurua menjëherë me vajzën e, sidomoso, me Krishtin.
Më 9 gusht 1945, në të njëjtin çast, piloti amerikan i bombarduesit B 29 përgatitet të lëshojë bombën atomike mbi Nagasaki. Është e dyta në histori, pas asaj që u hodh mbi Hiroshimën tri ditë më parë. Qielli është i kthjelltë e ora sapo ka trokitur njëmbëdhjetë herë.
Ajo që ndodh më pas është tepër e vështirë të përshkruhet. Një flluskë vigane flake shpërthen në zemër të qytetit, duke hedhur në erë njerëz e ndërtesa, në një rreze prej qindra kilometrash. Në pak sekonda, shtatëdhjetë e dy mijë japonezë vdesin në një mënyrë të tmerrshme. Është një mrekulli që spitali, ku punon Nagai, nuk shkatërrohet plotësisht. Shpëton një pjesë e ndërtesës e edhe disa nga njerëzit që ndodheshin aty në atë çast. Ndërmjet tyre, Nagai, që përpiqet t’i ndihmojë të plagosurit e popullsinë, në panik të plotë. Sa guxim duhet të ketë njeriu në një çast të tillë, kur edhe nervat më të çelikta shkatërrohen. Nagai e kërkon në fe forcën për të përballuar një situatë të tillë. Pa Hyjin, do të kishte zbritur në ferrin e dëshpërimit. I organizon ata që nuk janë prekur nga flaka, për të ndihmuar të plagosurit. Kur, më në fund, rikthehet në shtëpi, gjen vetëm një gropë të zezë, plot me hirin e gjithçka kishte dashur në jetë. Nga Midori kanë mbetur vetëm disa eshtra të karbonizuara dhe rruzarja. Nagai gjunjëzohet duke dënesur e lutet. “Zoti im, të falënderoj që i dhe kohën e duhur të lutet para se të vdiste. Mari, Nënë e dhimbshme, të falënderoj që e shoqërove në orën e kësaj vdekjeje të tmerrshme”.
Më 15 gusht Japonia dorëzohet pa kushte. Nagai shpërvjel përsëri mëngët për të ndihmuar të sëmurët, viktima të rrezatimeve. Pak para Krishtlindjes, së bashku me një mik, gërmon dheun për të nxjerrë në dritë një nga këmbanat e katedrales së vjetër. Në orën gjashtë të mbrëmjes, tingujt e këmabanës përhapen rishtas gëzueshëm mbi qytetin e martirizuar, duke kumtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot. Për të krishterët është kumti i ringjalljes. As bomba atomike nuk mund t’i bëjë të heshtin këmbanat e Zotit. Po ja që Nagai, i sëmurë nga leuçemia detyrohet të rrijë në krevat. Pavarësisht nga sëmundja e tmerrshme ai, me dëshminë e tij, vijon të predikojë shpresën, të ngjall në zemër të popullit të vet guximin. E ndoshta, falë tij, populli krijoi fjalën e urtë: “Hiroshima bërtet, Nagasaki lutet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.