2008-12-05 18:31:14

Ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare Patriku Aleksej II. Në Vatikan lajmi u prit me dhimbje të thellë. Ngushëllimet e Papës.


(05.12.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në fshatin Peredelkino, seli e Tij jashtë Moskës, ndërroi jetë Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive. Me Aleksejn II, që vdiq në moshën 79 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, bota ortodokse humbet një nga personalitetet e saj më të shquara.
Bien mënjanë prej orësh, në të gjithë Rusinë, këmbanat e katedraleve të mëdha e të kishave të vogla. Tingujt e tyre të përvajshëm kumtojnë humbjen e njërit nga autoritetet më karizmatike, që për tetëmbëdhjetë vjet mbajti në duar fatet e Kishës ortodokse ruse, duke mbartur peshën e njërës nga periudhat më të vështira për vendin e tij, që nga vigjilja e tranzicionit të brishtë, deri tek shembja e Murit të Berlinit në fund të vitit 1989, që e detyroi Bashkimin e Sovjetëve ta mbyllte faqen e fundit të historisë së tij në dhjetor 1991, për t’u shkrirë, më pas, në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura. Një vit e gjysëm para kësaj ngjarjeje, më 7 qershor 1990, Aleksej II u zgjodh Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë, në vend të paraadhësit, Pimeni I. Asokohe në moshën 61 vjeçare, ai njihej tashmë si një nga personalitetet më të shquara të Kishës së tij.
Figura e Patrikut u kujtua sot paradite në Vatikan nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, i cili e njohu së afërmi Patrikun e ndjerë dhe u takua me të disa herë në Moskë, në emër të Benediktit XVI. Një prijës i rëndësishëm - shkroi sot paradite kardinali Kasper, i cili më pas e shprehu dhimbjen e tij e të Selisë së Shenjtë, edhe në mikrofonin e Radios sonë:

“E morëm lajmin me keqardhje e trishtim të thellë. Patriku Aleksej ishte, pa asnjë dyshim, njëri nga udhëheqësit më të mëdhenj fetar në epokën e vështirë të kalimit nga sistemi komunist, në situatën aktuale; ai ka meritën e madhe të rindërtimit të Kishës, duke u nisur nga zeroja: krijoi shumë dioqeza të reja, famulli, kuvende e institute për formimin e klerit e kështu i dha një jetë të re Kishës ruso-ortodokse”.
 
Kisha katolike shprehu menjëherë ngushëllimet vëllazërore, përmes një telegrami dërguar në emër të Papës nga kardinali Tarçizio Bertone, në të cilin theksohet se duke bashkuar zërin me atë të Kishës ortodokse ruse, i lutet Zoti që Patriku Aleksej të takojë, në dritën e dashurisë së amshuar Krishtin e ngjallur, të cilit i shërbeu gjithë jetën”. Kujtojmë se Kisha katolike ka marrëdhënie gjithnjë më të mira me Kishën ortodokse ruse. Prova më e prekshme e përzemërsisë janë letrat që Benedikti XVI e Aleksej II shkëmbyen vitet e fundit.
Letra e fundit që Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Aleksej II, i dërgoi Papës, u botua në ‘L’Osservatore Romano’ vetëm një muaj më parë. Nënvizon vlerën e madhe që ka vijimi pozitiv i marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit ndërmjet Kishës katolike e Patriarkanës së Moskës. Letra e Aleksejt II ishte përgjigje e mesazhit autograf të Benediktit XVI dorëzuar Patrikut nga kryeipeshkvi i Napolit, Kreshencio Sepe, gjatë një vizite që bëri kohët e fundit në Moskë dhe dëshmon dëshirën e tij për t’u afruar me Kishën katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.