2008-12-05 18:33:39

Ligj për eutanazinë: imzot Fizikela i fton parlamentarët e Luksemburgut të mos vihen në vendin e Krijuesit!


(05.12.2008 RV)RealAudioMP3 Këto ditë Parlamenti i Luksemburgut përgatitet të vërë në votë ligjin për depenalizmin e eutanazisë, të cilin të hënën e kaluar, Duka i Madh Henry nuk pranoi ta nënshkruante për arsye ndërgjegjeje. E kjo, sepse kur ligji të miratohet, duke pasur parasysh se kryeministri Junker propozoi ta korrigjojë kushtetutën, për të kapëcyer fuqinë e vetos së sovranit, vendi do të hyjë ndërmjet pak kombeve evropiane, që e kanë pranuar eutanazinë. Lidhur me këtë, kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Rino Fizikela, botoi një kryeartikull në faqet e së përditshmes së KII ‘Avvenire”.
Mbi të gjitha – shkruan imzot Fizikela – paradoksalisht, askujt nuk i shpëton një kontradiktë e thellë: ndërsa Parlamenti luksemburgez shkon drejt pranimit të eutanazisë, diskutohet një ligj tjetër për mjekimet paliative, që lehtësojnë vuajtjet e njeriut me sëmundje të rënda, të pashërueshme. Nga njëra anë i zgjatet dora të sëmurit në prag të vdekjes, duke ia lehtësuar me të drejtë vuajtjet e fundme, e nga ana a tjetër merren në dorë armët për t’i dhënë goditjen fatale, me miratimin e eutanazisë si rrugëzgjidhje përfundimtare. Jeta nuk është mall tregu, vlera e të cilit mund të diskutohet – shpjegon kryetari i Akademisë Papnore për Jetën. Ajo, pavarësisht nga çdo lloj ligji hartuar prej njerëzve, do të vijojë të bazohet gjithnjë mbi parimin e paprekshmërisë e të shenjtërisë, që nuk mund të cënohet nga asnjë lloj aksioni politik. Pasi citon Enciklikën ‘Evangelium Vitæ” të Gjon Palit II, në të cilën pohohet se ‘vrasja e drejtpërdrejtë dhe e vetëdijshme e njeriut të pafajshëm është gjithnjë tepër imorale”, prelati vijon me Notën doktrinore të Kongregatës për Doktrinën e Fesë lidhur me qëndrimin e katolikëve në jetën politike, duke ripohuar me forcë se të gjithë katolikët, që impenjohen drejtpërdrejtë në përfaqësitë ligjore, e kanë për detyrë t’i kundërvihen çdo ligji që mund të konsiderohet si atentat kundër jetës njerëzore. Prandaj – nënvizon Imzot Fizikela – “parlamentarët katolikë duhet ta përdorin votën për t’iu kundëvënë çdo ligji që e mbështet eutanazinë”. E kjo vlen për politikanët dhe parlamentarët katolikë të të gjitha vendeve të botës e, natyrisht, edhe për besimtarin më të thjeshtë katolik.
Askush nuk mund të pretendojë të bëhet zotëria i jetës e i vdekjes – vëren në përfundim të editorialit imzot Fizikela - dhe shton: “Ligji për mosdënimin e eutanazisë nuk e bën as më të madhe e as më të vogël të keqen objektive që përmban. I vetmi emendament i vlefshëm do të ishte shfuqizimi i tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.