2008-12-04 18:00:11

Më 10 dhjetor në Vatikan, kremtim solemn me rastin e 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.


(04.12.2008 RV)RealAudioMP3 “Të drejtat e njeriut janë shprehje e dinjitetit të patjetërsueshëm të çdo njeriu e shprehin thirrjen e tij unike e të papërsëritshme, përtej çdo ndryshimi e diskriminimi të mundshëm”. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e 1948-tës, që sanksionoi e përcaktoi këto të drejta, përbën një gur kilometrik të qytetërimit njerëzor, duke pohuar se progresi nuk matet vetëm me përparimin e shkencës, të teknikës e të ekonomisë, por edhe e sidomos, me përparësinë e vlerave shpirtërore e progresin e jetës morale”. Këtë pohon, në një notë, Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes duke nënvizuar se qëllimi kryesor i kremtimit solemn nga ana e Selisë së Shenjtë është pikërisht ‘të ripohojë këto vlera e këto parime”. “Kisha – vijon nota - mendon se të drejtat njerëzore shprehin dinjitetin e mbinatyrshëm të njeriut, e vetmja krijesë që Zoti e deshi për vete, qëllim e kurrë mjet, e mendon se miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut në vitin 1948, ishte një çast me vlerë të jashtëzakonshme, që i krijoi njerëzimit mundësinë për të fituar pjekurinë e ndërgjegjes morale në përkim të plotë me dinjietin e njeriut”.
Sipas njoftimit të dhënë nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë më 13 nëntorin e kaluar, Kremtimet do të hapen më 10 dhjetor, në orën 16. 00, me aktin përkujtimor reflektues e studimor. Të pranishëm - krerët e dikastereve të Kuries dhe Trupi Diplomatik i akredituar pranë Selisë së Shenjtë, që do të reflektojnë për aktualitetin e Deklaratës. Ndërmjet atyre, që do të marrin fjalën, janë sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Punës, Juan Somavia, ndërsa pritet të jenë të pranishëm edhe presidenti italian, Gjorgjio Napolitano si dhe Princi e Mjeshtri i Madh i Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, vëllau Metju Festing.
Pas aktit përkujtimor, në praninë e Benediktit XVI, dirigjentia e mirënjohur spanjolle, Inma Shara, do të drejtojë koncertin organizuar nga Orkestra Simfonike e Frankfurtit. Është gruaja e parë që drejton një kompleks simfonik në Vatikan.
Pak para koncertit pesë personaliteteve dhe institucioneve, që shquhen në fushën e impenjimit shoqëror e të luftës për paqen, do t’u dorëzohen çmimet e përgatitura nga Fondacioni i Shën Mateut për kujtim të kardinalit Van Thuan.







All the contents on this site are copyrighted ©.