(04.12.2008 RV)Shën Gjoni, meshtar
e dijetar i Kishës, që u pagëzua me emrin Jahja ibn Sargun ibn Mansur, lindi aty
nga gjysma e shekullit VII në një familje arabe kristiane e vdiq në vitin 749. Konsiderohet
si përfaqësuesi i fundit i patrologjisë greke dhe lindore për veprat e tij monumentale,
ndërmjet të cilave shquhet "Burimi i dijes". Veprimtaria e tij letrare është jashtzakonisht
e larmishme: ishte poet e autor tekstesh liturgjike; gojtar, filozof e apologjet.
Bir i njërit nga funksionarët më të lartë të Khalifit të Damaskut, Gjoni i vogël pati
shokë lodrash princin trashëgimtar të vendit, që më vonë do t'i propozonte detyrën
e t'et si ministër i financave. Po ai, më shumë se oborrin mbretëror, më tepër
se ofiqet e luksin e pallatit, parapëlqeu të mbyllej në kuvendin e Shën Sabës, pranë
Jeruzalemit, ku u shugurua meshtar dhe thelloi njohuritë e tij teologjike, duke u
përgatitur kështu për detyrën e predikatarit në Bazilikën e Varrit të Krishtit. Nga
Jeruzalemi zëri i tij nisi të dëgjohej në të gjithë botën e krishterë, në mbrojtje
të çështjeve më të shenjta. Mbeti i famshëm shkrimi "Tri diskutime në favor të figurave
shenjte" në mbrojtje të figurave kundër ikonathyersëve, të udhëhequr nga vetë perandori
i Bizantit, Leoni III. Iu desh ta paguante shtrenjt këtë akt të guximshëm kundër vetë
Perandorit. Në këtë diskutim filozofik, Shën Gjoni pati rastin të zbulonte gjithë
përgatitjen e tij teologjike, vënë në dispozicion jo vetëm të Patrikut të Jeruzalemit,
por të mbarë Kishës. Kështu në Koncilin II të Nikesë (i 7-ti ekumenik) ai u vlerësua
jashtzakonisht jo vetëm për diturinë e jashtzakonshme por kryesisht për shenjtërinë
e tij.