2008-12-03 18:50:01

Jens Johannes Jørgensen: Betlehemi


(03.12.2008 RV)O Betlehem, qytet i Krishtlindjes!
U kthye pra, koha
kur ti duhet ta gëzosh përsëri
botën, botën gjithësi.
Ata që besojnë e ata që s’duan
ta rrahin udhën e ngushtë të kryqit,
janë bashkë, megjithatë, në Betlehem.

Oh, ndoshta Fjala e së Vërtetës për disa
është përrallë e bukur, por e vjetër!
E pra atë natë të parë, të parën Krishtlindje,
në vitet e kahmotshme të Herodit,
vit për vit e kujtojnë,
kur bien këmbanat, Krishtlindjen kumtojnë;
e u duhet të shikojnë ndër shekuj përmbrapa.

Mundime e lodhje, kotësi e gënjeshtra
e mbushin përplot zvarritjen e ditëve,
e vjen më në fund edhe nata e shenjtë;
një natë që lind në botë tjetër;
kur viti më në fund ngathtësisht perëndon,
e vjen si dëbora e Hyjit,
dëborë paqeje mbi tokë,
e sytë e egër i zbut para agimit.

O dëborë kndellëse e Betlehemit
bjerë ti mbi të ëmblat strehë
e mbille grurin që duhet të mbijë
në arat e amshimit.
Në heshtje ti hidh farë të bardha
në zemrat e errëta, të ngrira,
të mpira nga e bryma e natës.

O Fëmijë Hyjnore, prej kashtës së Betlehemit,
shuaji zërat e botës.
Nuk ka asnjë vend në këtë botë
më këndshëm ku do të banoja.
Më shpëto nga rreziqet, nga rrëzimet
me bujtë due në shtëpinë e Betlehemit
pranë Teje, pranë Virgjërës Mëri!
 Marrë nga “Krishtlindja në poezi”, Antologji nga shek. IV deri në shekullin XX; botuar në gjuhën italiane në Novara, Itali më 2006, fq 82.







All the contents on this site are copyrighted ©.