2008-12-03 17:17:50

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Ardhja e Krishtit është lumë i së mirës e i shpresës, që e mund të keqen e mëkatit të rrjedhshëm.


(03.12.2008 RV)RealAudioMP3 “Lumit të së keqes” që hyri në histori me mëkatin e rrjedhshëm të Adamit të parë, Hyji i kundërvuri ‘lumin e pastër të së mirës’, me ardhjen e Birit të tij, ‘Adamit të ri’. E në këtë këndvështrim – pohoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite, kushtuar përsëri Shën Palit – duhet kuptuar edhe sot mëkati i rrjedhshëm, shenjë e lirisë njerëzore për të zgjedhur dhunën, në vend të dashurisë. Përballë shtatëmijë besimtarëve nga të pesë kontinentet, mbledhur në Sallën e Palit VI në Vatikan, Papa i ftoi institutet bankare e të kreditit të jenë solidare, në këtë kohë krize ekonomike, me familjet e me shtresat më të ligështa të popullsisë dhe ta ndihmojnë veprimtarinë prodhuese.

Hapat e parë të historisë së shëlbimit kalojnë nëpër aktin më madh të pabesisë së krijesës ndaj Krijuesit. Një mëkat, ky i Adamit, mbi të cilin vijon të reflektojë njerëzimi në të gjitha epokat, duke u munduar ta kuptojë këtë mister të padepërtueshëm e duke u përpjekur shpesh edhe ta shmangë, duke harruar – pohoi Benedikti XVI – atë që Shën Pali ia mësoi Kishës që në zanafillën e saj:

“Në qendër të skenës nuk është aq Adami, me pasojat e mëkatit mbi njerëzimin, sa Jezu Krishti e hiri që, përmes Tij, u ndikua me begati mbi njerëzimin (…) Prandaj në vënien ballpërballë të Adamit me Krishtin, Shën Pali nxjerr në pah ultësinë e njeriut të parë në krahasim me epërsinë e të dytit”.
 
Por – pyeti Papa – ç’është mëkati i rrjedhshëm? E sidomos, a është një ide që mund të pranohet edhe sot? Për të kuptuar madhështinë e planit të mëvonshëm të Zotit – shpjegoi Ati i Shenjtë - duhet të nisemi nga një e dhënë empirike:

E dhëna empirike është kontradikta që ekziston në vetë qenien tonë. Nga njëra anë çdo njeri e di se duhet të bëjë mirë e në zemër të vet edhe dëshiron ta bëjë këtë. Por njëkohësisht, ndjen edhe shtytjen tjetër për të bërë të kundërtën, për të ndjekur udhën e egoizmit, të dhunës, prirjen për të bërë vetëm atë që i pëlqen, duke e ditur mirëfilli se vepron kundër së mirës, kundër Zotit e kundër të afërmit”.

 
Si vizioni i lashtë para Krishtit, ashtu edhe mendimi ateist, që e pason – shpjegoi Papa – pranuan e përsëritën se si e keqja, ashtu edhe e mira, janë forca që kanë ekzistuar gjithnjë e se njeriu nuk mund të sundojë, por vetëm të pësojë. Por – vërejti Benedikti XVI:

“Ky është një vizion i pa shpresë: po të jetë kështu, atëherë e keqja është e pathyeshme. Në fund llogaritet vetëm interesi vetjak. E çdo progres do të paguhet medoemos me një lumë të së keqes e edhe kush dëshiron t’i shërbejë progresit, do të ishte i detyruar ta paguante këtë haraç. Politika, në fund të fundit, ngrihet pikërisht mbi themelet e këtyre parakushteve; e pasojat po i shohim të gjithë. Ky mendim modern, në fund, s’mund të krijojë tjetër, veçse trishtim e cinizëm”.

 
Veç kësaj – vijoi Papa – lajmet për ushtrimin e të gjitha llojeve të dhunës, që na vijnë çdo ditë nga të katër anët e botës, flasin vetë për atë, që është lumi i ndyrë i së keqes, i cili hyri në histori me mëkatin e rrjedhshëm. Gjithsesi ajo që vlen – e që na e mëson edhe Shën Pali – nuk është aq mëkati i rrjedhshëm në vetvete, sa ajo që ndodhi më pas e që dëshmon se e keqja është forcë, e cila i nënshtrohet së mirës, që është Zoti:
 
“Zoti solli shërimin. Hyri vetë në histori. Burimit të përhershëm të së keqes i kundërvuri burimin e pastër të së mirës. Krishti i kryqëzuar e i ngjallur, Adami i ri, i kundërvë lumit të ndyrë të së keqes, një lumë drite. E ky lumë është i pranishëm në histori: shikojmë shenjtorët, shenjtorët e mëdhenj, por edhe shenjtorët e përvujtë, besimtarët e thjeshtë. Shohim se lumi i dritës, që vjen nga Krishti, është i pranishëm, është i fortë”.

 Ardhja, më në fund, është misteri më i lartë i dashurisë, që i kundërpërgjigjet misterit të së keqes. E kjo vetëdije bëri që nga zemra e Benediktit XVI të shpërthente vetevetiu lutja:
 
Eja, Jezus; eja, jepi forcë dritës e mirësisë; eja atje, ku sundon gënjeshtra, mosnjohja e Zotit, dhuna, padrejtësia; eja, o Zot Jezus, jepi forcë së mirës në botë e ndihmona të jemi mbartës të dritës sate, veprimtarë të paqes sate, dëshmitarë të së vërtetës sate. Eja, Zot Jezus!”.

 
Pas përmbledhjes së katekizmit në disa gjuhë, Papa, si zakonisht, u drejtoi përshëndetjet e tij grupeve të ndryshme të pranishme në audiencën e përgjithshme. Ndërmjet të tjerëve, iu drejtua edhe një delegacioni të Bankës së Kreditit Koopeerativ të Lamentinos:

“Prania juaj, miq të dashur, më jep mundësinë të vë në dukje, posaçërisht në këtë kohë të vështirë për shumë familje, një nga qëllimet parësore të Instituteve bankare e të kreditit, domethënë solidaritetin ndaj shtresave më të dobëta dhe mbështetjen e veprimtarive prodhuese”.







All the contents on this site are copyrighted ©.