365 ditë: "Mari Noël e falënderon Zotin me gjithë zemër për dashurinë e tij".
(03.11.2008 RV)Njerëzit rrugës
kthenin kokën për të parë një zonjë të çuditshme, të veshur si vajzat e vogla kur
marrin kungimin e parë: mbante dorashka të bardha; në qafë i varej një kryq ari e
në dorë kishte një rruzare sedefi e një ofice të vjetër. “Kush është kjo plakë
e marrë?”. Disa kalimtarë e njohin, sepse Okserrë është qytet i vogël e gruaja
banon aty që kur nuk mbahet mend. “Po ç’i ka hipur në kokë zonjushes Ruzhè, që
e respektojnë të gjithë? Ç’po ndodh me të sot, 3 maj 1944? Mari Ruzhe po shkon në
katedrale për të parë Meshë. Është Mesha e falënderimit për 50-vjetorin e kungimit
të saj të parë. Ajo kujtohet menjëherë se njerëzit po dëfrehen pa masë duke e parë
të veshur në atë mënyrë. E edhe atë e merr gazi, duke e kuptuar fare mirë se po qeshin
me të. E di se kalimtarët e shikojnë si besimtare me dy dërrasa mangut. E pra Maria
Ruzhe, poete e njohur me emrin Mari Noël, nuk qe kurrë fanatike. Njerëzit që kalojnë
rrugës, do të habiteshin edhe më shumë se sot, po të lexonin këto rreshta në Ditarin
e saj: “Zoti im, unë nuk të dua fare, e as që dua të të kem pranë; ti më mërzit, madje
nganjëherë besoj se nuk ekziston fare. Por shikomë kur kaloj nëpër jetë. Në se dëshiron
të besoj, jepma fenë. Në se dëshiron të të dua, ma jep dashurinë. Unë nuk e kam; unë
s’mund të jap dashuri! Po të jap atë që kam: ligështinë time e dhimbjen time”. Mari
Noel është e famshme për poezitë e saj plot freski, plot gëzim fëmijnor e mahnitje.
Por pas dukjes së saj të qetë, fshihet rebelja. Rebelja kundër fytyrës së Zotit të
rreptë, që ia treguan që kur ishte fëmijë: në familjen e saj besohet në një Zot, që
i gjykon njerëzit pa pikë mëshire. Rebele kundër jetës, që u tregua tepër dorështrënguar
me të: jetoi gjithnjë vetëm, e vetmi do të thotë vaj. Por Mari Noel ka një personalitet
plot kundërshti. Dëshiron të besojë në një Zot krejt të ndryshëm, nga ai për të cilin
i folën në fëmijëri: një Zot në të cilin mund të besohet, sepse është gjithnjë gati
të dhurojë dashurinë e tij. E kjo festë kaq e çuditshme për pesëdhjetë vjetorin e
kungimit të saj të parë, është shenjë që tregon se ajo e do këtë Zot. Edhe pse jeta,
që ai i dhuroi, nuk ishte e lehtë, zonja plakë, që sapo i ka mbushur gjashtëdhjetë
e një vjeç, e falënderon me gjithë zemër. “Të gjitha ferrat me të cilat ma kurorëzove
ballin, në fund të fundit u mbushëm me lule”- shkruan këtë ditë në ditar.