2008-12-02 17:33:29

“Askush nuk do ta mbrojë dënimin me vdekje për homoseksualët”. Kështu Atë Lombardi lidhur me reagimet ndaj Deklaratës mbi depenalizimin universal të homoseksualitetit.


(02.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Gjithçka është në favor të respektit e të mbrojtjes së njeriut, bën pjesë në trashëgiminë tonë njerëzore e shpirtërore’ – kështu u shpreh imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në një intervistë dhënë agjensisë franceze ‘I. Media’ lidhur me Deklaratën universale të të Drejtave të Njeriut e, posaçërisht, me propozimin parizian, që synon lirimin universal të homoseksualitetit nga dënimi. Projektin për të përfshirë edhe abortin në të drejtat themelore të njeriut, prelati e quajti mizori moderne, që e minon dhe e shkatërron shoqërinë nga brënda!
Ndërsa mbi pikën që lidhet me mosdënimin e homoseksualitetit, e cila shkaktoi polemika e keqkuptime, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi ripohon: ‘askush nuk dëshrion të mbrojë dënimin me vdekje të homoseksualëve!”:

“Intervista e imzot Miliores, e lexuar në tërësi, flet qartë e thotë gjëra që i pranojnë të gjithë.Natyrisht askush nuk dëshiron ta mbrojë dënimin me vdekje të homoseksualëve, ndonëse ndokush do të dëshironte të besohej e kundërta. Parimet e njohura të respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe mospranimi i diskriminimeve të padrejta – që sanksionohen qartë në vetë Katekizmin e Kishës katolike – përjashtojnë jo vetëm dënimin me vdekje, por edhe të gjitha ligjshmëritë penale të dhunshme ose diskriminuese lidhur me homoseksualët.
Por nuk bëhet fjalë për këtë; fjala është jo vetëm për mosdënimin e homoseksualitetit, siç është shkruar, por edhe për përfshirjen e një deklarate me vlerë politike, që mund të reflektohet në mekanizmat e kontrollit, në bazë të të cilave çdo normë (jo vetëm ligjore, por edhe që ka të bëjë me grupe shoqërore e fetare) e cila nuk e vë në të njëjtin plan çdo drejtim seksual, mund të konsiderohet në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Kjo mund të bëhet mjet presioni ose diskriminimi për ata që, për të dhënë vetëm një shembull - martesën e një burri me një grua e konsiderojnë si formë themelore e fillestare e jetës shoqërore e, si e tillë, edhe për t’u privilegjuar.
Nuk është, prandaj, e rastit që 50 shtete të Kombeve të Bashkuara e pranuan propozimin në fjalë, ndërsa më se 150 nuk e pranuan. Selia e Shenjtë nuk është vetëm!".







All the contents on this site are copyrighted ©.