(02.11.2008 RV)Sot Kisha katolike
përkujtoi Shën Bibianën, patrice romake, virgjër e martire; Shën Pimenin, martir
dhe shën Silverin, papë. Po ndalemi më hollësisht tek figura e Shën Bibianës. Emri
Bibianë rrjedh nga Vivianë, që në greqisht do të thotë jetë = bios. Kështu emri i
saj u bë sinonim i gjallërisë, shkathtësisë, i njeriut plot jetë. E lindur në
Romë në vitin 352 Bibiana, sipas passio-s apo kalimit nga kjo jetë, shkruar në shekullin
VII, është ndërmjet viktimave të persekutimit të të krishterëve në kohën e Julit,
njohur me epitetin Apostati, apo Sakrilegji. Virgjërës Martire, pasi e torturuan,
për ta bërë të mohonte Krishtin, i prenë kokën. E sot kjo kokë ruhet në kapelën e
të kryqëzuarit në bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe ekspozohet për besimtarët
në ditët e krezhmëve si dhe më 2 dhjetor, në festën e saj. Martirizimi i shenjtes
frymëzoi shumë artistë, që realizuan një numër të madh ikonash kushtuar Virgjërës
Martire, e jo më pak devocionit popullor. Njihet si pajtore e njerëzve që kanë dhimbje
koke, ngerrçe, epilepsi, si dhe e viktimave të alkoolizmit e të aksidenteve. Shën
Bibiana në traditën popullore ka edhe rëndësi meteorologjike. Thuhet se në ditën e
festës së saj mund të bëhen parashikime se si do të jetë dimri në vijim.