2008-12-02 17:33:44

Një financë e qëndrueshme, për një zhvillim të qëndrueshëm: në Konferencën e Dohës, imzot Çelestino Miliore kërkon të respektohet zëri i më të varfërve.


(02.12.2008 RV)RealAudioMP3 “Kriza financiare dhe kërcënimet e terrorizmit, nuk duhet ta shkëpusin vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga nevojat e më të varfërve në botë”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkura në Nju Jork, gjatë fjalimit që mbajti dje në Konferencën e Dohës, në Katarr, thirrur nga OKB-ja për të diskutuar rreth temës së financimit të zhvillimit.
Mbi kokat tona në Doha, dyndet një re e zezë - me këto fjalë e nisi diskutimin e tij kryeipeshkvi Miliore – është ankthi që shkaktojnë pasojat ekonomike e politike të krizës së pashembullt financiare dhe prania e vazhdueshme shkatrrimtare e terrorizmit, siç e dëshmuan ngjarjet tragjike të Mumbait, në Indi. Këto kriza – vërejti prelati – përbëjnë një sfidë tepër të madhe, që duhet t’i nxisë të gjithë të merren më shumë me nevojtarët.

Në rrënjët e saj – sqaroi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë – kriza financiare nuk është aq dështim i mendjes njerëzore, sa i sjelljes morale. E për fat të keq, të gjithë po i shohin efektet e lakmisë për t’u pasuruar sa më shpejt e të mungesës së maturisë. Kështu që ata, të cilët s’ka shumë që dolën nga varfëria, tani ka shumë mundësi të bien në një varfëri të re.

Ne flasim shpesh për zhvillim të qëndrueshëm - shtoi imzot Miliore - dhe e bëjmë këtë, sepse duam të plotësohen nevojat e së tashmes, pa dëmtuar mundësitë e breznive të ardhshme për plotësimin e nevojave të tyre. Po kështu – vijoi prelati – edhe financa e qëndrueshme duhet të plotësojë nevojat e sotme të kapitalit, duke siguruar njëkohësisht edhe ruajtjen e rritjen e burimeve me afat të gjatë. Prej këndej, urimi i Selisë së Shenjtë që parimi i zhvillimit financiar të qëndrueshëm të zbatohet në tregjet financiare. E kjo është edhe sfida e madhe e Konferencës së Dohës: “As më pak e as më shumë, sesa të sigurojë, në mënyrë të qëndrueshme, financimin e zhvillimit”.

Së fundi, një thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, të respektojë zërat e vendeve dhe të individëve, që kanë më shumë nevojë për ndihmë financiare. Kështu edhe imzot Miliore kërkoi të ripërcaktohet roli i institucioneve Breton Uuds si dhe që të ashtuquajturat G8 e G20 të dëgjojnë zërin e atyre, që kanë më shumë nevojë për ndihmë në rrugën e zhvillimit.

Kujtojmë se Konferenca e Dohës po analizon hapat e bëra deri tani për të arritur objektivat e Mijëvjeçarit, për t’u garantuar kushte më të mira jetese popullsive më të varfëra dhe për të ndërmarrë masa të tjera, që shërbejnë për të përballuar Krizën ekonomike botërore aktuale, e cila ndikon sidomos mbi nevojtarët. Vetëm pak ditë para kësaj Konference, që përfundoi sot, Vatikani, përmes një note të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, miratuar nga Sekretaria e Shtetit, mbajti qëndrim mbi temën e financës dhe të zhvillimit.
“Për të përballuar krizën duhet një pakt i ri financiar ndërkombëtar”, kërkohet në dokument, i cili ngul këmbë edhe për rishikimin e rolit të tregjeve offshore, pra të tregjeve që shfrytëzohen nga ndërmarrjet jashtë vendit, ku këto ndërrmarrje prodhojnë. Pikërisht praktika e blerjes së shërbimeve jashtë vendit ka qenë një nga rripat e transmetimit të krizës.Selia e Shenjtë këshillon që të forcohet bashkëpunimi për të vigjëluar mbi sistemin financiar. Në veçanti, është e rëndësishme që konfrontimi politik ndërmjet vendeve të pasura, të mos sjellë zgjidhje të bazuara mbi marrëveshje, ku përfshihen vetëm ata. Këshilli Papnor vë në dukje se sistemi ekonomik botëror bazohet mbi dy paradokse: “Janë vendet e varfëra ato që financojnë vendet e pasura, të cilat pasurohen si përmes ikjes së kapitalit privat, ashtu edhe përmes vendimeve qeveritare për të depozituar rezerva zyrtare në formën e aktiviteteve financiare të sigurta, në tregjet offshore”. Pastaj, “paratë që dërgojnë emigrantët tejkalojnë ndihmat publike për zhvillimin. Si të thuash, të varfërit e Jugut financojnë të pasurit e Veriut e po të varfërit e Jugut janë të detyruar të emigrojnë në veri për të mbajtur familjet në Jug”. Nga ana tjetër, tregjet offshore kanë lejuar ikjen e shumave të mëdha kapitalesh, të motivuara nga dëshira për të mos paguar taksat e shpesh edhe për të pastruar paratë. Një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës, sipas Selisë së Shenjtë, duhet të luajnë edhe vetë qytetarët, duke u bërë më të përgjegjshëm në fushën e konsumit e të investimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.