2008-12-02 18:11:26

50-vjetorin e vënies në skenë të operës ‘Mrika’


(02.12.2008 RV)Sot, në hollin e teatrit ‘Migjeni’ nisën veprimtaritë për 50-vjetorin e vënies në skenë të operës ‘Mrika’. Ansambli i harqeve ‘Classic Sound” i Shkodrës dha një koncert, përgatitur e drejtuar nga Anton Kaftalli. Vetë ndryshimi i thellë ndërmjet titullit ‘Mrika’ të operës e emrit me të cilin është titulluar ansambli, nismëtar i kremtimeve, dëshmon për udhën e gjatë e të ndërlikuar që është bërë nga shfaqja e asaj, që u quajt ‘opera e parë shqiptare’ e muzikës së ditëve të sotme, në Shkodër e në Shqipëri. Themi ‘që u quajt’ sepse sprovën e parë për të vënë në skenë një opera shqiptare e pati bërë mësuesi i kompozitorit të madh të ‘Mrikës’, Prenkë Jakovës, Atë Martin Gjoka, me operën ‘Juda Makabe’, me tekst të Atë Gjergj Fishtës.
Veprimtaritë do të vijojnë nesër me një koncert të artistëve më të shquar shkodranë.
Të enjten, pastaj, qendra kulturore që mba emrin e një kompozitori tjetër të shquar, Pjetër Gacit, do të hapë në Teatrin Migjeni natën e parë të edicionit të 8-të të konkursit ‘Pjetër Gaci’.
Të shtunën, dita e fundit e veprimtarive, banda e qytetit do të japë koncert në sheshin qëndror të Shkodrës. Ndërsa në teatrin 'Migjeni' do të organizohet një koncert jubilar. Të pranishëm, 52 instrumentistë të Orkestrës Simfonike, nën drejtimin e dirigjentit Desar Sulejmani, që e ushtron veprimtarinë e tij muzikore në Gjermani.







All the contents on this site are copyrighted ©.