2008-12-01 18:01:49

Papa priti Presidentin e Sri Lankës: në qendër të bisedimeve, drama e popullsisë civile në vend


(01.12.2008 RV)Benedikti XVI priti sot në audiencë presidentin e Republikës Socialiste Demokratike të Sri Lankës, Mahinda Rajapaksa, i cili më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej nga imzot Dominik Mambertì, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij për marrëdhëniet me shtetet.
“Bisedimet e përzemërta – njofton Salla vatikanase e Shtypit – krijuan mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi situatën aktuale në Sri Lanka, për të ripohuar se popullsia, e vënë në provë të rëndë, ka vërtetë nevojë për ndihmë e për të vënë theksin mbi rrugën e dialogut e të bisedimeve, si e vetmja rrugë që çon në përfundimin e konfliktit në vijim dhe siguron paqen e drejtë e afatgjatë. U urua që Kisha të gëzojë edhe në të ardhmen lirinë e plotë, e cila i krijon kushtet e nevojshme për të dhënë kontributin e saj të ndjeshëm në jetën e vendit, përmes dëshmisë fetare, veprimtarive edukative, shëndetësore e bamirëse dhe impenjimit në shërbim të së mirës së përbashkët, të pajtimit e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.