2008-12-01 18:02:19

Në Engjëllin e Tënzot, lutja e Benediktit XVI për viktimat e dhunës pa kuptim në Indi e Nigeri.


(01.12.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, në Engjëllin e Tënzot, Papa u lut për viktimat e ngjarjeve tragjike në Indi e në Nigeri. Në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes e në festën e Shën Andreut, Benedikti XVI kërkoi të reflektohet për arsyet e dhunës pa pikën e kuptimit, që vijon të trondisë mbarë botën.
Ati i Shenjtë u bëri thirrje gjithë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit të bashkohen me të në lutje për viktimat e sulmeve të egra terroriste të Mumbait, në Indi, si dhe të ndeshjeve të përgjakshme që shpërthyen në Jos të Nigerisë, ku shumë njerëz u vranë, u plagosën ose u detyruan të ikin me tmerr nga vatrat e tyre.

Të ndryshme janë shkaqet dhe rrethanat e këtyre ngjarjeve tragjike, por të përbashkëta, tmerri e dënimi i kësaj dhune mizore e të çmendur. I lutemi Zotit t’ua prekë zemrën atyre që gënjejnë veten, kur mendojnë se është kjo rruga për zgjidhjen e problemeve kombëtare ose ndërkombëtare e të japim të gjithë shembuj butësie e dashurie, që të ndërtohet një shoqëri e denjë për njeriun e për Zotin”.

 
Këto fjalë të Papës tingëlluan edhe më me forcë, në një kohë kur njeriu ftohet të reflektojë mbi ngjarjen e madhe të Shëlbimit. Dje filloi Koha e Ardhjes, me të cilën u hap edhe Viti i ri liturgjik. “Ky fakt – vërejti Papa – na fton të reflektojmë mbi përmasën e kohës, që ushtron mbi ne një joshje të jashtëzakonshme:

“...të gjithë themi se s’kemi kohë, e kjo sepse ritmi i jetës së përditshme është bërë për të tërë tepër i ethshëm”.
 
Por Kisha – shtoi Ati i Shenjtë – ka një lajm të mirë për t’ua dhënë njerëzve: Hyji na jep kohën e tij:

“Ne kemi gjithnjë pak kohë; posaçërisht për Zotin, nuk dimë ose nganjëherë nuk duam ta gjejmë sadopak. E megjithatë, Zoti vijon të ketë kohë për ne! Kjo është gjëja e parë që na bën të zbulojmë, përherë të mrekulluar, fillimi i Vitit të ri liturgjik. Po! Zoti na dhuron kohën e vet, sepse hyri në histori me fjalën e me veprat e tij të shëlbimit, për ta bërë histori të besëlidhjes, për të na hapur amshimin”.

 
Në këtë perspektivë, koha është në vetvete shenjë themelore e dashurisë së Zotit:

“... një dhuratë që njeriu, ashtu si çdo gjë tjetër, mund ta vlerësojë ose, përkundrazi, ta shkapërderdhë; ta kapë kuptimin e saj, ose ta shpërfillë me çkujdesjen më të madhe”.

 
Papa kujtoi tri shtyllat e mëdha të kohës, mbi të cilat mbështetet historia e shëlbimit: krijimin, mishërimin-shpërblyes dhe ardhjen përfundimtare të Krishtit për gjyqin universal; por këto tre çaste – shpjegoi Ati i Shenjtë – nuk vijojnë sipas rendit kronologjik. Krijimi është në zanafillë të të gjitha sendeve, por edhe vijon deri në fund të fundit të kohëve. E po kështu edhe mishërimi-shpërblyes, shtrihet para e pas lindjes e vdekjes së Jezusit. Ndërsa ardhja e fundit dhe gjyqi i mbramë ushtrojnë ndikimin e tyre mbi sjelljen e njerëzve të të gjitha epokave.
Prandaj tingëllon aktuale për çdo kohë – nënvizoi Papa - thirrja e Jezusit, që kumbon rishtas në të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes:

“Rrini zgjuar!’ U drejtohet dishepujve, por edhe të gjithëve, sepse secili nga ne, në orën që e di vetëm Zoti, do të thirret të japë llogari për jetën e vet”.

 
E kjo kërkon – tha Ati i Shenjtë - qëndrim të drejtë ndaj të mirave të kësaj bote, pendim të sinqertë për gabimet, dashuri vepruese për të afërmin e, mbi të gjitha, lëshim plot besim të vetvetes në duart e Zotit.

Pas lutjes mariane Papa kujtoi Shën Andreun Apostull, vëlla i Simon Pjetrit, pajtor i Patriarkanës së Kostandinopojës, me të cilën Kisha e Romës – theksoi Ati i Shenjtë - ka lidhje të ngushta vëllazërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.