2008-11-30 12:32:10

U hap në Doha, Konferenca ndërkombëtare e OKB-së për Financimin e Zhvillimit.


(30.11.2008 RV)RealAudioMP3 U hap dje në Doha, kryeqytet i Katarit, Konferenca ndërkombëtare e OKB-së për Financimin e Zhvillimit, gjashtë vjet pas takimit në Monterrej të Meksikës, i cili pati shënuar një kthesë të rëndësishme në perceptimin e varfërisë dhe pati bashkuar si asnjëherë vendet e Veriut e të Jugut të botës në një strategji të përbashkët. Në dokumentin përfundimtar, të ashtuquajturin “Konsensusi i Monterrejt”, përcaktoheshin masat për të arritur objektivat e Mijëvjeçarit dhe për t’u garantuar kushte më të mira jetese popullsive më të varfëra.
Konferenca e Dohës duhet të analizojë hapat e bëra dhe të ndërmarrë masa të tjera, që shërbejnë për të përballuar Krizën ekonomike botërore aktuale, e cila ndikon sidomos mbi më të varfërit. Vetëm pak ditë para kësaj Konference, që përfundon me 2 dhjetor, Vatikani, përmes një note të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, miratuar nga Sekretaria e Shtetit, mban qëndrim mbi temën e financës dhe të zhvillimit.
“Për të përballuar krizën duhet një pakt i ri financiar ndërkombëtar”, kërkohet në dokument, i cili ngul këmbë edhe në rishikimin e rolit të tregjeve offshore, pra të tregjeve që shfrytëzohen nga ndërmarrjet jashtë vendit, ku këto ndërrmarrje prodhojnë. Pikërisht praktika e blerjes së shërbimeve jashtë vendit ka qenë një nga rripat e transmetimit të krizës.
Selia e Shenjtë këshillon që të forcohet bashkëpunimi për të vigjëluar mbi sistemin financiar. Në veçanti, është e rëndësishme që konfrontimi politik ndërmjet vendeve të pasura, të mos sjellë zgjidhje të bazuara mbi marrëveshje, ku përfshihen vetëm ata. Këshilli Papnor vë në dukje se sistemi ekonomik botëror bazohet mbi dy paradokse: “Janë vendet e varfëra ato që financojnë vendet e pasura, të cilat pasurohen si përmes ikjes së kapitalit privat, ashtu edhe përmes vendimeve qeveritare për të depozituar rezerva zyrtare në formën e aktiviteteve financiare të sigurta, në tregjet offshore”. Pastaj, “paratë që dërgojnë emigrantët tejkalojnë ndihmat publike për zhvillimin. Si të thuash, të varfërit e Jugut financojnë të pasurit e Veriut e po të varfërit e Jugut janë të detyruar të emigrojnë në veri për të mbajtur familjet në Jug”. Nga ana tjetër, tregjet offshore kanë lejuar ikjen e shumave të mëdha kapitalesh, të motivuara nga dëshira për të mos paguar taksat e shpesh edhe për të pastruar paratë. Një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës, sipas Selisë së Shenjtë, duhet të luajnë edhe vetë qytetarët, duke u bërë më të përgjegjshëm në fushën e konsumit e të investimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.