Refleketim i fundjavës i Atë Federiko Lombardit: “Vdekje në Mumbai”.
(30.11.2008 RV)Lajmi, që pushtoi
gjatë javës së kaluar faqet e para të mediave botërore, ishte padyshim ai i atentateve
fondamentaliste të Mumbait, që shkaktuan 195 të vdekur e më se 300 të plagosur e,
sidomos, shumë tmerr në të gjithë botën. Përmes një telegrami, drejtuar kardinalit
Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit, Benedikti XVI përcolli ngushëllimet për viktimat
e atentateve të tmerrshme dhe kërkoi t’i jepet fund të gjitha akteve të terrorizmit.
Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për shkallëzimin e dhunës në Mumbai, shqetësim
që e shpreh edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit e i Radios sonë, Atë
Federiko Lombardi në reflektimin e kësaj fundjave: “Atentatet
e Mumbait, me më se dhjetë objektiva me rëndësi të madhe, sulmuar në mënyrë të koordinuar,
më se njëqind të vdekur e qindra të plagosur, e bënë Indinë e botën të rrokullisen
në një greminë ankthi. Synimi vrasës dhe qëllimi i dukshëm për të goditur
zemrën e një Vendi të madh, na sollën në mend 11 shtatorin në Nju Jork, pastaj Madridin,
Londrën… Tensionet e konflikitet, që trondisin prej një kohe të gjatë subkontinentin
indian, duhen përcaktuar pa ngurrim si pikë kritike, e përdorur me synim që të ndizet
një zjarr edhe më i frikshëm, me pasoja të papërfytyrueshme, në se kemi parasysh përmasat
demografike të Azisë Jugore dhe rolin e saj në zhvillimin botëror. Keqardhja dhe dhimbja
për viktimat e këtyre ditëve, bëhen edhe më të thella, kur mendon për dhimbjen e pamasë
që veprimtarë të çmendur, krejtësisht të kthjelltë për veprimtarinë e tyre të kobshme,
duan t’u shkaktojnë sa më shumë njerëzve. Për besimtarët, shqetësimi njerëzor
bashkohet me atë fetar. Kujtojmë tensionin e vjetër, që çoi në ndarjen ndërmjet Indisë
e Pakistanit dhe rrymat ngulmuese, madje ndoshta në rritje, fondamentaliste, jo vetëm
në botën islamike, por edhe në atë hinduiste. Pak vjet më parë India u trondit nga
një valë dhune antimyslimane, ndërsa kohët e fundit jemi përballë asaj antikristiane
në disa zona. Në një vend ku pakica myslimane numëron 140 milionë vetë, cilat mund
të jenë reagimet e kësaj goditjeje, që me sa duket vjen nga burime islamike?Është
e tmerrshme të mendosh se në botën e sotme feja ngatërrohet me dhunën. Fondamentalizmi
është një nga rreziqet më dramatike të njerëzimit, që sfidon ndërgjegjen e çdo njeriu
të fesë. “Nuk mund të përdoret dhuna, në emër të Zotit!”: britma e Gjon Palit II,
mesazhet e Asizit, duhet të tingëllojnë gjithnjë e më të fuqishme. Çështja e paqes,
çështje e njeriut, është çështje e vetë Zotit!”.