2008-11-30 12:31:06

Lumnohet në Kubë rregulltari Hosè Olallo Valdés


(30.11.2008 RV)Dje, në Sheshin e Dashurisë në Kamaguej të Kubës, u kremtua liturgjia me ritin e Lumnimit të Shërbëtorit të Zotit, Hosè Olalo Valdés, rregulltar i Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit.Meshën shenjte me ritin e lumnimit e kryesoi kardinali Zhoze Saraiva Martins, prefekt nderi i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Benediktit XVI.
I lindur në Havanë më 12 shkurt 1820, i braktisur menjëherë nga prindërit, Hosé u rrit në jetimoren e Shën Hoses në Havanë, ku u edukua në fenë e krishterë. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, kur hyri në Urdhërin Spitalor të Shën Gjonit të Zotit, në bashkësinë e Shenjtorëve Filipi e Jaku të Havanës. Më pas u dërgua në Puerto Principe (Kamaguej i sotëm), ku ia kushtoi gjithë jetën të sëmurëve të varfër e të braktisur, siç ishte edhe ai vetë. U dallua për gatishmërinë, ëmbëlsinë e aftësinë në shërbim të të sëmurëve, pa dallim race, besojme, ideologjie e gjendjeje shoqërore. Shëroi trupa e shpirtëra. E, edhe kur vdiq i fundmi bashkëvëlla, në kushtet e shpërndarjes së urdhërave rregulltare nga qeveritë liberale spanjolle, ai e vijoi, i vetëm, misionin në shërbim të të sëmurëve të tij. Derisa vdiq, më 7 mars 1889, vuri në qendër të vëmendjes vuajtjen fizike e morale të njerëzve që i kërkonin ndihmë, duke i qëndruar besnik jo vetëm tre kushteve rregulltare të varfërisë, bindjes e pastërtisë, por edhe kushtit të katërt të strehimit e mjekimit të të sëmurëve, që bënin rregulltarët e Urdhërit Spitalor, të cilit i përkiste.
Prandaj Ati i Shenjtë, duke e kujtuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të dielën e kaluar, theksoi:
“Të shtunën e ardhshme në Kubë do të shpallet i lum Fralet Hosè Olalo Valdés, i Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit. Mbrojtjes së tij qiellore ia besoj popullin kuban, posaçërisht të sëmurët e punonjësit e shëndetësisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.