2008-11-29 14:23:07

365 ditë: "Marsel Kalo, misionar në Shërbimin e Punës së Detyruar".


(29.11.2008 RV)Fatkeqësitë nuk vijnë kurrë vetëm. Në këtë ditë të trishtuar të vitit 1943, Marseli sapo ka marrë pjesë në salikimet e së motrës, vrarë gjatë një bombardimi. E pikërisht këtë mbrëmje i vjen një thirrje nga SHPD, Shërbimi i Punës së Detyruar. Është një sistem i shpikur nga nazistët, që kanë pushtuar Francën: i detyron francezët të shkojnë për të punuar në fabrikat gjermane. Me sa duket, edhe për Marselin, punëtor 22 vjeçar, ka ardhur koha të niset.
Kalojnë disa ditë e ai është gjithnjë mëdyshas: s’di ç’të bëjë. Mund edhe të fshihet, ashtu si shumë të rinj të tjerë e të hyjë në lëvizjen e Rezistencës. Por në se vepron kështu, i jati do të arrestohet menjëherë, e me të, edhe Zhani, vëllai i madh, i cili pas pak javësh do të shugurohet meshtar. E kështu e ëma do të mbetet vetëm me të pesë motrat.
Ka edhe një arsye tjetër, që e shtyn të niset për të bërë punë të detyruar. E di se në Gjermani mund t’i shërbejë më shumë Zotit, sesa gjermanëve! Prej vitesh është anëtar i Rinisë Punëtore Kristiane (RPK). Udhëheq një grup, që mblidhet për të reflektuar mbi fenë e i fton të rinjtë të hyjnë në Kishë. Me entuziazmin e gatishmërinë e tij për t’u shërbyer të tjerëve, i bën shumë punëtorë të rizbulojnë Zotin.
Tani Gjermania ka nevojë të ngutshme për njerëz, që vihen në shërbim të Zotit. Nazistët nuk i lejojnë meshtarët të shkojnë si kapelanë në mes të të rinjve. Prandaj Kisha u bën thirje solemne skautëve, anëtarëve të RPK-së dhe seminaristëve që punojnë në gjirin e tyre. I fton të japin ndihmesën për vijimin e jetës fetare, që flaka e krishtërimit të mos shuhet në zemrat e njerëzve, të cilët pikërisht në këtë kohë kanë më shumë se kurrë nevojë për të.
Kështu Marseli vendos të niset, duke lënë në Ren familjen dhe Margeritën, të fejuarën. Sapo arrin në Gjermani, nis menjëherë punën. Jo si punëtor në fabrikë, ku mundohet të punojë sa më pak, por si misionar, veprimtari së cilës i kushtohet me gjithë vetveten. Formon një grup të krishterësh e, ashtu si në Ren, entuziazmi i tij i bën të gjithë për vete. Një nga shokët e grupit do të thoshte për të se ishte më bindës edhe se vetë kapelani.
Kjo aftësi e tij nuk mund të mos u bjerë në sy nazistëve. Marsel arrestohet, sepse tepër katolik… I internuar në një kamp përqendrimi, vdes në vitin 1945.Më 1987 Papa e shpall të Lum, sepse pati guximin t’i përgjigjet thirrjes së Kishës e të jetë mjet paqeje, në një epokë dhune!







All the contents on this site are copyrighted ©.