2008-11-28 16:49:38

Shenjti i ditës: Shën Jaku i Markes, rregulltar e meshtar


(28.11.2008 RV)RealAudioMP3 - Atë, po shkoj të predikoj në Gubio - i tha vëlla Jaku vëlla Bernardinit të Sienës. - E ju, ku do të shkoni? “ - “Unë do të shkoj në Mbretëri” - u përgjigj predikatari tejet popullor.
Vëlla Jaku kujtoi se do të shkonte të predikonte në mbretërinë e Napolit, siç quhej asokohe, por sienezi e kishte fjalën për një mbretëri tjetër, shumë më të largët e më të përkryer: atë qiellore. Pak ditë më pas mori vesh se mësuesi i tij i madh e i dashur qe nisur për një Mbretërit tjetër. Ndërpreu predikimin e i bëri të gjithë besimtarët t’i drejtonin Zotit, bashkë me të, një Miserere - që të kishte mëshirë për vëllaun e saponisur e t’ia hapte portat e Mbretërisë. Pastaj tha: ‘Këtë ças u shemb përdhe një shtyllë e madhe’. E kishte fjalën për Bernardinin e Sienës. Nuk mund të flitet për Shën Jakun e Markes, pa kujtuar edhe Shën Bernardinin, që pati rreth vetes një kurorë predikatarësh gojartë, si Shën Gjon Kapestranin, Alberto da Sarteano, Mateo di Girgenti e Jaku i Markes.
Jaku quhet i Markes, sepse kishte lindur, në vitin 1394, në Monteprandone, në provincën e Askoli Picenos e, në vitin 1394, në Shën Marinë e Engjëjve kishte marrë zhgunin françeskan nga dora e Shën Bernardinit. Ashtu si mësuesi, u dha me sukses të madh pas predikimit, e jo vetëm në Itali, por edhe në Bosnjë, në Bohemi, në Poloni. Po hante, kur i erdhi urdhëri nga Papa të nisej për në Hungari. La bukën përgjysëm e u bind menjëherë. Jeta e tij ishte një pendesë e vazhdueshme. Mbante shtatë krezhmë gjatë vitit e ditët e tjera hante vetëm bathë të zjera. Mundi të gjitha tundimet që e rrezikonin të prishte tre kushtet françeskane. U sëmur rëndë gjashtë herë e gjashtë herë mori sakramentin e Vojimit. E megjithatë jetoi deri në moshën tetëdhjetë vjeç, duke luftuar me fjalë e me e vepra, të gjitha veset, sidomos koprracinë e fajdenë. Fajdeja ishte plaga më e rëndë e kohës së tij e, për ta çrrënjsour, dha idenë për krijimin e bankave të të varfërve, ku mund të linin pengje e të merrnin hua me kushte të favorshme për ta. Ideja e tij u vu në jetë nga një predikatar tjetër sienez: Bernardino da Feltre.Gjithnjë i sëmurë, kockë e lëkurë, fizikisht i shkatërruar, predikatari markigjan kishte një frikë të vetme: se dhimbja fizike do ta shkëpuste nga lutja në orët e mbrame të jetës. Vdiq më 1476 në Napoli duke u lutur e duke shqiptuar fjalët: “Bekuar qofshin mundimet e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.