2008-11-28 16:43:19

Imzot Miliore: kriza financiare do të kthehet në katastrofë, në se do të drejtohet vetëm nga vendet e pasura.


(28.11.2008 RV)RealAudioMP3 Të përballojë krizën ekonomike botërore e të drejtojë proceset që i kundërvihen varfërisë. Janë këto disa nga sfidat e Konferencës ndërkombëtare të OKB-së për financimin e zhvillimit, që do të hapet nesër në Doha të Katarrit. Deri më 2 dhjetor, krerët e shteteve e të qeverive si dhe drejtuesit e institucioneve dhe të agjensive të zhvillimit, do të diskutojnë për nismat dhe projektet, që duhen vënë në jetë, në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Pas G.20 të Uashingtonit, që kërkoi rrugëzgjidhje me afat të mesëm për krizën e tregjeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi mundësinë e një katastrofe të re finaciare. Të ndjekim komentin e Imzot Çelestino Miliores, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në mikrofonin e Radios sonë:
 
Përgjigje: - Prej kohe ndodhemi në mes të krizës financiare, që mund të bëhet katastrofë, në se nuk i vihen pritat ndikimit të saj mbi krizat e tjera: asaj ekonomike, ushqimore, energjitike. Me sa duket është e nevojshme një kthim i vendosur i sektorit publik në tregjet financiare; duhet thelluar koordinimi e uniteti në kërkimin e rrugëzgjidhjeve, duhen rifituar disa përmasa themelore të financës, si ajo e epërsisë së punës mbi kapitalin në radhë të parë, e pastaj e marrëdhënieve njerëzore mbi kompromiset financiare dhe e etikës mbi kriterin e dobisë.

Pyetje: - Në një notë të kohëve të fundit, Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes u kërkoi qeveritarëve ta shmangin rrezikun e zgjatjes së zinxhirit të proteksionizmit reciprok, sepse Selia e Shenjtë ka frikë nga rreziqet që mund t’u kërcënohen sidomos vendeve në rrugë zhvillimi…

Përgjigje: - Specialistët thonë se në këto rrethana do të kishte një efekt krejt të kundërt ngritja e barrierave të reja, si në shkëmbimin e pasurive e të shërbimeve, ashtu edhe në atë të investimeve. Çdo masë mbrojtëse e kësaj natyre mund të keqësojë më tej situatën e sotme ekonomike, siç e shpjegon edhe Benedikti XVI, i cili më 18 prillin e kaluar, duke folur para Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, theksoi se zgjidhja e problemeve të botës së sotme, kërkon gjetjen e formave të aksionit kolektiv nga ana e gjithë bashkësisë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.