2008-11-27 17:05:33

Benedikti XVI ndjek me shqetësim fatin e dy misionareve italiane të rrëmbyera në Kenia.


(27.11.2008 RV)Papa ndjek me shqetësim fatin e dy misionareve italiane, motër Katerina Gjiraudo e motër Maria Tereza Oliviero, të rrëmbyera para më se pesëmbëdhjetë ditësh në një fshat në kufirin ndërmjet Kenias e Somalisë, ku u dalluan për impenjimin në favor të të varfërve. Njoftimin e jep drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Benedikti XVI – thekson zëdhënësi i Vatikanit - merr pjesë në shqetësimin e thellë të ‘Lëvizjes Kundruese Misionare Atë Fuko” të Kuneos, në të cilën bëjnë pjesë dy rregulltaret, lutet e vuan me familjarët e tyre. Urojmë – përfundon Atë Lombardi - që kjo situatë e dhimbshme e thellësisht e padrejtë, viktima të së cilës janë dy gra krejtësisht të pafajshme e plot merita, të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kujtojmë se Prokuroria e Romës filloi hetimet menjëherë pas rrëmbimit të tyre, ndërsa nunci apostolik në Kenia, imzot Alë Pol Lebopë, u bëri thirrje rrëmbyesve t’i lirojnë sa më shpejt motrat italiane dhe i ftoi gjithë besimtarët të luten për lirimin e rregulltareve, që të mund të rikthehen në vendin e misionit, ku u shërbejnë prej 20 vjetësh të varfërve në vendin afrikan







All the contents on this site are copyrighted ©.