2008-11-27 17:09:43

365 ditë: "Raul Folrro, ati i të gërbulurve"


(27.11.2008 RV)1942. Në Bregun e Fildishtë disa rregulltare kanë ndërtuar një fshat për të strehuar të gërbulurit e për t’i mjekuar këta njerëz, të cilët janë të dënuar të vdesin si kafshët. Askush nuk u afrohet, nga frika se mund t’u ngjitet sëmundja. Por, për ta mbajtur fshatin, duhen para, e motrat nuk i kanë. Ç’mund të bëjnë? Flasin për këtë problem me një farë Raul Folrro, një francez tridhjetë e nëntë vjeçar, i njohur për bujarinë e tij. Thua mund t’i ndihmojë?
Murgeshat kanë gjetur pikërisht njeriun që u duhet. Rauli jo vetëm që ka një zemër vigane, por është edhe tepër i aftë për t’i bindur njerëzit. I shoqëruar nga bashkëshortja, mban disa konferenca në Francë, duke e bërë të njohur kudo fshatin e të gërbulurve. Kështu arrin të sigurojë shumë ndihma e fshati shpëton.
Falë kësaj ngjarjeje, Raul Folrro nis atë, që do të jetë aventura e jetës së tij: luftën kundër gërbulës. Shpëtimi i një fshati i duket tepër pak. Kjo sëmundje e tmerrshme vijon të bëjë kërdi në mbarë botën. Megjithëse ilaçet, që e shërojnë plotësisht sëmundjen, nuk mungojnë, çdo vit qindra mijëra njerëz vdesin. Në radhë të parë sepse jetojnë në vendet e varfëra, që s’kanë para për të blerë ilaçe; e në radhë të dytë, sepse askush nuk e merr mundimin t’i mjekojë. Kanë një pamje të frikshme me atë lëkurë të qelbëzuar e në disa vende arrihet deri atje, sa të mendohet se janë të mallkuar nga vetë Zoti! E kështu të gërbulurit, ndonëse mund të mjekoheshin fare mirë, mbeten krejtësisht të braktisur në fatin e tyre.
Raul Folrro e merr mbi vete betejën kundër gërbulës. E quajnë babai i të gërbulurve, sepse i trajton të sëmurët me dashuri, si Jezusi. Ndjek shembullin e atë Damian de Vëuster, që nuk pati frikë të shkojë e të jetojë ndërmjet tyre. Kështu nis të shtegtojë nëpër botë, gjithnjë i shoqëruar nga gruaja, e cila e ndjek pas besnikërisht. Kudo shkon, arrin të rizgjojë bujarinë e njerëzve. Themelon Ditën Botërore për të sëmurët nga gërbula, ditë që kremtohet edhe sot e kësaj dite, për të mbledhur ndihma në favor të të gëbulurve.
Raul Folrro vijon të shtegtojë, pa i kursyer forcat, me dëshirën që ta zhdukë nga faqja e dheut këtë sëmundje të tmerrshme. E kështu deri në vdekje, në vitin 1977, pasi kishte vizituar pesëdhjetë e pesë vende, kishte mbledhur pesëqind milionë euro e kishte përshkuar dy milion kilometra, që përkojnë me pesëdhjetë rrotullime rreth botës.



 







All the contents on this site are copyrighted ©.