2008-11-26 17:39:38

Veprimtari festive me rastin e 28 nëntorit 2008 në Romë.


Ambasada e Shqipërisë pranë shtetit italian përgatitet të festojë 28 nëntorin, Festën e Pavarësisë, me dy aktivitete kryesore: me një ekspozitë, gjatë së cilës do të paraqitet edhe një libër, e me festën tradicionale, e cila çdo vit mbledh në Romë shqiptarët nga e gjithë Italia.
Ekspozita, e cila mund të vizitohet nesër në ambasadë, është e piktorit Gulielm Mosi. Peneli i tij ka paraqitur portrete të shquara shqiptarësh, si poeti françeskan Gjergj Fishta, apo ish-presidenti I Kosovës, Ibrahim Rugova, por edhe vende, peisazhe apo momente të jetës së shqiptarëve. Të pranishëm janë edhe personazhe që kanë ndihmuar, apo kanë bashkëpunuar me shqiptarët në të mirë të tyre. Gjatë pasdites do të paraqitet edhe libri i shkrimtares italiane Serena Luçiani, me titull: “Terremoto a Tirana – Tërmet në Tiranë”.
Më pas, Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Shkëlqesia e Tij zoti Llesh Kola dhe bashkëshortja, japin një pritje festive nga ora 18.30 deri në orën 20.30.
Shkëlqesitë e tyre do t’i presin të ftuarit në Grand Hotel Parco dei Principi, Rruga Girolamo Frescobaldi, 5 në Romë.

Po me rastin e Festës Kombëtare, 96-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Pranë Selisë së Shenjtë dhe pranë Urdhërit Sovran të Maltës, Shkëlqesia e Tij, zoti Rrok Logu dhe zonja Logu, japin një pritje festive më 28 nëntor 2008, nga ora 18.00 deri në orën 20.00, në Crowne Plaza, Rruga Aurelia Antica, 415; 00165 Romë. Të ftuarit duhet ta kenë ftesën me vete. Kujtojmë se numri i telefonit i Ambasadës të Republikës së Shqipërisë pranë Selisë Apostolike është 06. 39754085; i fax-it, 06. 397 33150; e-mail:ambalbvatican@libero.it








All the contents on this site are copyrighted ©.