2008-11-26 18:17:39

Urimi i Papës për paqe në Irak në takimin me imzot Vardunin.


(26.11.2008 RV)RealAudioMP3 “Irakun e kemi në zemër. I kujtojmë gjithnjë të krishterët, lutemi për ta e për paqen në vend”. Me këto fjalë e përshëndeti sot Papa imzot Vardunin, ipeshkëv ndihmës i Bagdadit të kaldejve, duke e pritur në përfundim të audiencës së përgjithshme. I shprehte kështu afërsinë shpirtërore të krishterëve irakianë, në një çast vendimtar për fatet e Irakut: sot pasdite pritej që Parlamenti të votonte për miratimin e marrëveshjes mbi statusin e forcave, që duhet të rregullojë praninë e ushtarakëve amerikanë në Irak, duke nisur nga janari i ardhshëm, kur përfundon mandati i forcës ndërkombëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nënshkruar me SHBA, e deri në 2011-tën, si dhe për krijimin e një komisioni të përbërë, për të gjykuar ushtarakët e SHBA, që kanë kryer krime jashtë shërbimit. Por votimi nuk u bë e, me sa duket, ratifikimi do të realizohet me referendum.
Ndërkaq në terren kanë vdekur dy vetë e janë plagosur 19 të tjerë, gjatë shpërthimit të tri bombave në Bagdad. Situata mbetet e vështirë edhe për shkak të dhunës, që vijon të ushtrohet mbi të krishterët në zonën e Mosulit. Megjithatë, nuk mungojnë edhe shenjat pozitive, siç pohon në mikrofonin e Radio Vatikanit, vetë imzot Varduni:

Përgjigje: - Ka një farë përmirësimi në frontin e terrorizmit, që na jep sadopak shpresë. Çështja nuk ka të bëjë vetëm me Bagdadin, por edhe me qytete të tjera, si Mosuli e Kirkuku, ku dhuna herë shtohet e herë pakësohet. E ne, që kemi jetuar në shekuj në paqe, na çudit pa masë ky sulm djallëzor kundër të krishterëve. I kemi bërë thirrje mbarë botës që ta vërë në lëvizje qeverinë tonë, në përpjekjen për të siguruar paqen e për të na dërguar në ndihmë ushtarë irakianë. Ushtarët erdhën e na siguruan sadopak qetësi, duke na dhënë shpresë për të ardhmen.

Pyetje: - Si mund t’ju ndihmojnë të krishterët e perëndimit?

Përgjigje: - Para së gjithash me lutje. T’i lutemi Zotit, sepse ai është Mbreti i paqes, që mund të bëjë gjithçka: ai mund t’i ndryshojë mendjet, zemrat, sjelljet. Bota shikon interesat e veta, siç është interesi për naftën, që ne e kemi. Po të mos ishte ari i zi, ndoshta sot do të ishim në paqe. E pastaj duhen sensibilizuar qeveritë, sepse ne tashmë jemi bërë të huaj në shtëpinë tonë. Së treti, të ndihmohen të krishterët irakianë që u detyruan të ikin.







All the contents on this site are copyrighted ©.